Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti me dy viktima në Shkodër, arrestohet punonjësi i policisë dhe një shtetas tjetër


Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Shkodër ka arrestuar një punonjës policie dhe një shtetas tjetër për aksidentit me dy viktima.

Shtetasi M.B., 19 vjeç dhe efektivi i policisë me iniciale V.N., 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe u ndaluan pasi u panë kamerat përreth vendit të aksidentit.

Nga aksidenti humbën jetën dy të rinjtë S.K 21 vjeç dhe E. D 20 vjeç të cilët ishin pasagjerë në makiën që drejtohej nga 19-vjeçari i arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër – Lezhë arrestoi në flagrancë 1 punonjës policie dhe 1 shtetas tjetër, pasi ndërsa drejtonin automjetet e tyre, janë përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik, ku ndërruan jetë 2 shtetas

Në vendin e quajtur “Omaraj”, Njësia Administrative Gruemirë në Malësinë e Madhe janë përfshirë në aksident, një mjet tip “Audi” me drejtues shtetasin V. N., dhe një mjet tip “Mercedes Benz“ me drejtues shtetasin M.B., me të cilin udhëtonin si pasagjerë shtetasit S.K., 21 vjeç, dhe shtetasi E.D., 20 vjeç.

Automjetet e përfshira në aksident po udhëtonin me drejtimin Koplik – Shkodër. Drejtuesi i automjetit “Mercedez” pasi ka humbur kontrollin e mjetit është përplasur me kolonën e një muri rrethues. Si pasojë e kësaj përplasje ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi S.K., ndërsa shtetasi E.D. ndërroi jetë teksa po transportohej për në spitalin rajonal.

I dëmtuar nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit “Audi“, i cili ndodhet i shtruar në repartin e kirurgjisë për shkak të dëmtimeve të marra.

Grupi hetimor ka siguruar pamjet filmike nga momenti i aksidentit dhe pas hetimeve në vendngjarje kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve:

  • M.B., 19 vjeç;
  • V.N., 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *