Vendosni fjalën kyçe....

“Të heqim patentat për vaksinat anti-Covid”- Gjermania nuk e pranon propozimin e SHBA-ve


Gjermania ka refuzuar një propozim të SHBA-ve për të hequr dorë nga patentat për vaksinat kundër COVID-19, duke mos e konsideruar një pengesë pronën intelektuale në prodhimin e vaksinave. Patentat janë debati më i fundit i ngritur në skenën botërore politike e të shëndetësisë, me disa vende si SHBA-ja që mendojnë se po të hiqen patentat, do të ketë më shumë mundësi për më shumë kompani farmaceutike që të prodhojnë vaksinat e tyre për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë njerëzve.

Siç shkruan Reuters, presidenti Joe Biden të mërkurën shprehu mbështetjen e tij për heqjen dorë nga patentat e vaksinave.

Një zëdhënëse tha se qeveria gjermane qëndron prapa qëllimit të një furnizimi botëror të vaksinave COVID-19, duke shtuar se faktorët kryesorë në prodhimin e vaksinave janë kapaciteti dhe standardet e cilësisë, dhe jo patentat.

“Mbrojtja e pronës intelektuale është një burim inovacioni dhe duhet të mbetet i tillë në të ardhmen.”– tha zëdhënësja në një deklaratë, citon Reuters.

Ajo tha se Gjermania mbështeste iniciativën e COVAX-it, me synimin për t’u siguruar që sa më shumë njerëz në botë të kenë qasje në vaksina.

OBSH tha në prill se nga 700 milion vaksina të administruara në të gjithë botën, vetëm 0.2% kishin qenë në vendet me të ardhura të ulëta. Rëndësia e çcështjes theksohet sidomos nga një rritje e fundit e infeksioneve në Indi, vendi i dytë në botë më i populluar.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të diskutojë një propozim për të hequr dorë nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat COVID-19, por prodhuesit e ilaçeve e kundërshtojnë këtë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *