Vendosni fjalën kyçe....

25 të vrarë në përplasjen e policisë braziliane me kartelin e drogës në Rio de Janeiro (Videot)


Një operacion masiv policor në lagjet e varfëra Jacarezinho të Rio de Janeiro rezultoi në vdekjen e të paktën 25 personave të dyshuar e një oficeri policie ndërsa dhjetëra efektivë e civilë u plagosën.

Më shumë se 200 oficerë policie brazilianë bastisën të enjten në mëngjes favelën e tretë më të madhe në Rio, shtëpia e mbi 60,000 banorëve. Media venmdase raportoi të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime në Jacarezinho dhe foli për militantë të armatosur që kërcenin sipër çative për t’i shpëtuar policisë.

Përdorues të shumtë të mediave sociale braziliane e përshkruan përballjen si ‘luftë’.

Një nga viktimat ishte inspektori i policisë Andre Leonardo de Mello Frias, konfirmoi policia civile e Rio de Janeiro. Kishte 24 viktima të tjera në bastisje, por identiteti i tyre nuk është bërë i ditur ende.

Të paktën pesë persona u plagosën – dy oficerë policie, një banor si dhe dy udhëtarë të një metroje që kalon në zonë.

Policia kishte në shënjestër Comando Vermelho (Komanda e Kuqe), një organizatë kriminale e dyshuar për trafik droge dhe armësh.

Sipas gazetës ‘O Globo’, bastisja e së enjtes pasoi mbikëqyrjen e autorizuar nga gjykata që identifikoi 21 kriminelë që po përdornin forcën për të mbajtur pjesë të lagjeve të varfëra nën kontrollin e tyre. Organizata kishte qindra ‘ushtarë’ të armatosur me pushkë, pistoleta dhe granata dore dhe të veshur me jelekë antiplumb, tha policia.

Bastisja e së enjtes ishte operacioni i parë i madh kundër krimit të organizuar që nga qershori i kaluar, kur Gjykata e Lartë Braziliane tha se bastisjet e tilla duhet të ndaleshin gjatë pandemisë Covid-19 përveç në ‘raste absolutisht të jashtëzakonshme’.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës i policisë që nga viti 2016.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *