Vendosni fjalën kyçe....

Tom Doshi pendohet për sherrin me Robert Rakipllarin: Ofroj ndjesën time


Kreu i PSD-së Tom Doshi i ka kërkuar ndjesë gazetarit Robert Rakipllarit pas përplasjes së tyre që degradoi mbrëmjen e kaluar në një program televiziv, ku u përdor një fjalor i papërshtatshëm.

Doshi i ka dërguar sot një mesazh në telefon gazetarit Sokol Balla i cili e lexoi atë në transmetim të drejtpërdrejtë në “News 24”.

Doshi thotë se reagimi i tij erdhi pas ngarkesës së fortë emocionale që i kanë shkaktuar dorëheqja nga mandati i deputetit si dhe nga akuzat ndaj tij.

 “I nderuar z.Balla, ndjej detyrimin të shkruaj dy rreshta për atë që ndodhi mbrëmë në emisionin tuaj kur unë ju kërkova të reagoja pasi të ftuarit tuaj po diskutonin për PSD dhe për mua si kryetar i saj.

Dhe në instuatat e përsëritura sikur unë përdor mënyrë të tjera.

Pavarësisht se këto akuza i kam refuzuar dhe i refuzoj krejt të pavërteta dhe shpifje, pavarësisht se në mënyrë të përsëritur hidhet baltë mediatikisht dhe politikisht ndaj meje, e ndjej të them se reagimi im i mbrëmshëm ishte emocional dhe i shkaktuar edhe nga ngarkesa e fortë e zgjedhjeve dhe largimit tim me vullnet personal nga mandati në Kuvend.

Nuk kam asgjë personale me z. Rakipllari apo me çdo gazetar tjetër. Si politikanë duhet t’i respektojmë, megjithëse nuk bie dakord aspak që dikush të goditet pa fakte.

Si person i ofroj ndjesën time Robertit, pasi askush më shumë se sa unë nuk ka provuar fyerje mbi kurriz dhe në publik. I uroj çdo të mirë. Tom Doshi.”- shkruan ai.

Kreu i PSD-së Tom Doshi pati një debat me tone të larta në emisionin “Real Story” me Fatos Lubonjën e Robert Rakipllarin, pasi këta të fundit duke komentuar rezultatet paraprake aluduan se Doshi ka blerë vota në këto zgjedhje.

Doshi ka ndërhyrë në emisionin nëpërmjet një lidhje telefonike ku është përplasur me Rakipllarin duke përdorur dhe fjalë të papërshtatshme. Rakipllari nga ana tjetër ka kërkuar që Sokol Balla t’i mbyllë direkt telefonin Doshit, pasi sipas tij, ai është një person “non grata” nga SHBA.