Këtë të dielë, shënohet nisja zyrtare e fluturimeve në Aeroportin e Kukësit.
Siç ka deklaruar më herët kryeministri Edi Rama, pasagjerët e parë që do të vijnë do të jenë emigrantët nga qyteti i Kukësit në Angli.
Mirëpo, mesa duket avioni nuk do të ulet direkt në Kukës, por në aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Kjo për shkak se Britania e Madhe dhe Kukësi, nuk kanë një linjë direkte së bashku.
Gjatë ndalesës që avioni do të bëjë në Rinas, Rama do të hipë në avion dhe sëbashku me emigrantët, do të zbarkojë në destinacionin përfundimtar që është Kukësi.
Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku shihet qartë se avioni i “Air Albania” i nisur nga Londra do të zbresë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto me karriget ku do të ulen qytetarët që do të mblidhen në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit.
Ai thotë se ulja e avionit të parë do të bëhet pas pak: “Pas pak, zbresim këtu, në Kukës, ku hapet porta e dytë nga qielli i Shqipërisë”.
Më pas ai ka publikuar edhe një video ku shihet duke hipur në avionin që ka mbërritur më parë në Rinas dhe u bashkohet emigrantëve. /Hashtag.al