Vendosni fjalën kyçe....

New York Times: Operacioni sekret izraelit në termocentralin bërthamor i ka shkaktuar dëm nëntëmujor Iranit


Në mëngjesin e 11 prillit, një shpërthim ndodhi në një fabrikë të pasurimit të uraniumit në Natanz, në provincën Isfahan të Iranin qendror. Zyrtarët në republikën islamike menjëherë e klasifikuan aksidentin si një ‘akt të terrorizmit bërthamor’.

Incidenti në uzinën bërthamore të Natanz në Iran u shkaktua nga një ‘shpërthim i planifikuar qëllimisht’, njoftoi të dielën ‘New York Times’, duke cituar burime anonime brenda inteligjencës amerikane dhe izraelite.

Ajo që dyshohej më parë nga disa të ishte një sulm kibernetik, sipas NYT, u duk të ishte një shpërthim i fuqishëm që ka shkatërruar sistemin e brendshëm të ruajtur mirë të energjisë që ushqente centrifugat nëntokësore që pasurojnë uraniumin. Duke cituar burime, gazeta pretendoi se incidenti i Natanz ishte një ‘operacion i klasifikuar izraelit’.

Shpërthimi thuhet se është një goditje shkatërruese për aftësinë e Iranit për të pasuruar uraniumin dhe mund të duhen të paktën 9 muaj për të rifilluar punën në strukturë.

NYT gjithashtu vuri në dukje se është e paqartë nëse administrata e Biden ishte në dijeni të operacionit të pretenduar izraelit.

Në të njëjtën kohë, një reporter i ‘Washington Post’ tha të dielën, duke cituar një zyrtar të lartë të SHBA-së, se Uashingtoni ka parë ‘raporte të një incidenti’, duke shtuar se ‘SHBA-ja nuk është e përfshirë’.

Administrata e Biden po e bën të qartë se nuk ishte përfshirë në shpërthimin e Natanz ndërsa ndjek rrugën e diplomacisë me Iranin.

“Ne kemi parë raporte të një incidenti në objektin e pasurimit të Natanz në Iran. SHBA nuk është e përfshirë dhe nuk ka asgjë për të shtuar.” – tha zyrtari anonim që citohet nga WP.

Më herët, media shtetërore izraelite, Kan Radio deklaroi, duke cituar burime anonime të inteligjencës, se shërbimi inteligjent izraelit Mossad kishte goditur objektin në Natanz me një sulm kibernetik.

Të dielën në mëngjes, një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI), Behrouz Kamalvandi, raportoi një aksident në vendin bërthamor Natanz. Ai tha se incidenti nuk pa viktima ose ndotje të mjedisit. Kreu i AEOI, Ali Akbar Salehi, e përkufizoi incidentin si një ‘akt të terroristit bërthamor’, duke thënë se Teherani rezervon të drejtën t’u përgjigjet atyre që janë përgjegjës për sulmin.

Një ditë para incidentit, një fabrikë për prodhimin e centrifugave të përparuara IR-9 u hap në fabrikë, në të cilën pritej së shpejti të fillonte prova dhe gazifikimi i centrifugave të reja.

Incidenti në uzinën Natanz ndodhi midis bisedimeve të Vjenës kushtuar rikthimit të SHBA-së, e cila u tërhoq nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) në vitin 2018, pasi Irani ka filluar të tërhiqet nga angazhimet e tij nën JCPOA pas tërheqjes së Uashingtonit.

Ndërsa negociatat zhvillohen në formatin P5 + 1 që përfshijnë Rusinë, Kinën, SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Iranin, ende nuk janë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta midis delegacioneve iraniane dhe amerikane.

*Përshtati për Hashtag.al, Klodian Manjani.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *