Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje Ramës e Veliajt: Ndaloni menjëherë prishjen anti-kushtetuese të banesave në Kombinat


Presidenti Meta i ka bërë thirrje Ramës e Veliajt të tëhiqen nga shkatërrimi i pronave të qytetarëve në lagjen Kombinat të Tiranës.

Kreu i shtetit shkruan se atij i ka vajtur një peticion nga një grup qytetarësh lidhur me çështjen në fjalë dhe se i ka kërkuar qeverisë e bashkisë që të vlerësojnë ankesat e tyre që prej muajit shkurt.

Meta shton më tej se nën pretekstin e rindërtimit, Rama e Veliaj po përfshijnë në procesin e prishjes, me anë të dhunës e presioneve ndaj qytetarëve edhe prona që nuk janë prekur nga tërmeti.

“Në mënyrë antikushtetuese, të dhunshme dhe jo transparente, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë.

Jam njohur me peticionin e dërguar nga një grup qytetarësh të kësaj zone dhe i kam kërkuar zyrtarisht, që prej muajit shkurt 2021, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë të vlerësojnë ankesat e parashtruara me objektivitet dhe paanshmëri. Deri tani asnjë angazhim serioz prej tyre, që të reflektojë zgjidhjen e çështjeve të ngritura me të drejtë nga këta qytetarë. Me pretekstin e rindërtimit të pronave të dëmtuara nga tërmeti dhe me alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë duket se me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre.” – shkruan Meta.

Ai shton më tej se Rama e Veliaj po ndërhyjnë me forcë mbi jetën e të ardhmen e qindra familjeve duke krijuar situatë të pasigurt ligjore e duke nxitur tension social të panevojshëm.

Meta i bën thirrje kryeministrit Rama e kryebashkiakut Veliaj të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese në këtë zonë. Ai i siguron qytetarët se do  mbrojë me çdo mjet demokratik e ligjor të drejtat e tyre kushtetuese.

“Në këtë mënyrë Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë po ndërhyjnë me forcë mbi jetën dhe të ardhmen e qindra familjeve, duke krijuar një situatë të pasigurt ligjore dhe duke nxitur një tension social të panevojshëm në këtë zonë. I bëj thirrje Qeverisë ende në detyrë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës, por të garantojnë një zgjidhje të drejtë e objektive siç Kushtetuta e parashikon. Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton pronën private të çdo qytetari. Ndaj nuk ka VKM apo Akt Normativ, që mund të cënojë këtë të drejtë të shenjtë apo më keq akoma, t’i largojë forcërisht qytetarët nga pronat e tyre, pa një proces të rregullt ligjor. Duke i falënderuar qytetarët e “Kombinatit” për shqetësimin, që më kanë përcjellë, i garantoj se do t’i mbroj me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore të drejtat e tyre kushtetuese.” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *