Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Duhet t’i japim fund tranzicionit e urrejtjes politike, njerëzit duan ndryshimin e ne do e sjellim


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka thënë sot se duhet t’i jepet fund tranzicionit të gjatë në Shqipëri.

Ajo ishte në Malësi të Madhe në prezantimin e kandidatëve të forcës politike që drejton në këtë zonë.

Kryemadhi theksoi se urrejtja politike nuk e çon vendin përpara e për këtë arsye duhet t’i jepet fund.

“Ne duhet t’i japim fund tranzicionit në Shqipëri. Ne duhet t’i japim fund urrejtjes politike, sepse ajo nuk na çon përpara, por përkundrazi na kthen mbrapa në ato vitet më të errëta të Shqipërisë. Ne duhet të shpërndajmë dashurinë, duhet të shpërndajmë solidaritetin, duhet të shpërndajmë bashkëjetesën me njëri tjetrin, ashtu siç kemi ditur dhe dimë gjithmonë ne shqiptarët për të mbajtur njëri-tjetrin dhe për t’i qëndruar pranë.” – tha Kryemadhi.

Ajo shtoi më tej se LSI-ja do jetë surprizë jo vetëm në qarkun e Shkodrës por në mbarë vendin në zgjedhjet e 25 prillit.

“Unë jam e bindur që në 25 prill, LSI do të jetë surprizë jo vetëm në qarkun e Shkodrës  por në të gjithë Shqipërinë sepse shikoj frymën, shikoj angazhimin, shikoj entuziazmin, shikoj atë dëshirë të qytetarëve për të na takuar dhe për të na ndjekur. Ne pas takimit në Shkodër ecëm në pedonale dhe shikonim që njerëzit na përshëndesnin me dashuri. Edhe ata që mund të ishin pas dritareve të zyrave të shtetit na përshëndesnin me një fshehtësi por me nje dashuri të madhe për ne. Dhe për mua kjo është fitorja më e madhe. Kur njerëzit duan ndryshimin, kur njerëzit të përshëndesin, të shohin në sy dhe kuptojnë dhe besojnë se ti do ta sjellësh atë ndryshim.” – shtoi Kryemadhi.