Vendosni fjalën kyçe....

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon sjelljen e kryeministrit Rama ndaj gazetares për maskën


Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar sjelljen e kryeministrit Rama ndaj gazetares Edona Haklaj.

Në një reagim zyrtar, unioni thekson se shtyrja e gazetares për shkak të mungesës së maskës është një akt i dhunshëm e aspak etik nga ana e kreut të qeverisë.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u njoh sot  me sekuencën audiovizive dhe reagimin për shkak të shtyrjes, të reporteres së televizionit Fax News, koleges Edona Haklaj nga kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa po zhvillohej një komunikim me mediat dhe reporterët në Tiranë. Gjesti i shtyrjes fizike për shkak të mungesës së maskës mbrojtëse nga ana e reporteres, përbën një precedent të rrallë dhe në vetvete, ka peshën e një incidenti. Reporterja Haklaj në sqarimin publik në faqen vetiake të fb, përmes një norme të lartë etike ndien përgjegjësinë për mungesën e përkohshme të maskës dhe dënon veprimin e kryeministrit. Një gjest i tillë prej Kryeministrit të vendit përbën në vetvete një akt të dhunshëm dhe aspak etik. Ditë më parë prepotenca verbale e kryeministrit Rama u ekspozua edhe në komunikimin me reporteren Ambrozia Meta, ndërsa zhvillonte një tjetër konferencë për shtyp me gazetarët.” – thuhet në reagimin e unionit.

Më tej në reagim theksohet se UGSH-ja proteston ndaj sjelljeve të tilla për më tepër në pikun e fushatës elektorale ku skena politike po tensionohet në mënyrë të skajshme.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë proteston ndaj gjesteve dhe akteve të tilla, aq më tepër që vijnë prej kryeministrit të vendit dhe në pikun e fushatës elektorale ku siç po vërrejmë me shqetësim, skena  politike dhe elektorale po tensionohet skajshmërisht. Akte të tilla, reagimet e ngutshme politike si dhe avokatitë e ekzagjeruara nga subjekte dhe protagonistë politikë ndaj raportimeve të mediave dhe gazetarëve, fatkeqësisht po rikthejnë kuotën tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.” – vijon reagimi.

Në fund të reagimit të tij, unioni shpreh shqetësimin për klimën në vend si dhe dënon çdo lloj sulmi a presioni ndaj gazetarëve.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë. Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo  lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e fuqishëm me koleget dhe gazetarët në terren, duke u kërkuar shtimin e kurajos, rritjen e këmbënguljes për raportim të thelluar dhe imponim të transparencës dhe besueshmëri të ofertave elektorale nga ana e subjekteve elektorale, aktorëve dhe kandidatëve që pretendojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pamvarësisht se cilës palë i përkasin.” – mbyllet reagimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *