Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja e Metës me policinë, reagon Veliaj: Presidenti ka degraduar mendërisht, i ofrojmë rehabilitim



Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka reaguar pas përplasjes fizike mes presidentit Ilir Meta dhe policëve bashkiakë që kishin shkuar në zyrat e FRD-së duke kërkuar lirimin e ambienteve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me televizionin “News 24”, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se presidenti “ka degraduar mendërisht” që zihet me grushta me njerëzit me uniformë.

“Nëse presidenti i Republikës për çdo paqartësi që ka shkon e shtyhet me grushta, fyen uniformat, i bullizon, i kërcënon, dhe prek me dorë e rrihet, keni të bëni me një rast të degradimit të rëndë mendor të presidentit dhe institucionit. Kur dikush ka një problem me shkresat shkon e zgjidh në gjykatë. S’më keni parë mua ndonjëherë të kapem me grushta.

Presidenti duhet të kuptojë se ajo është një zyrë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me hipotekë. Sipas ligjit për partitë politike, partitë që nuk kanë asnjë mandat parlamentar dhe as 1% të votave të popullit, nuk e detyrojnë bashkinë e Tiranës që t’u japë zyrë. Po të veprojmë kështu për të gjithë, mënyra më e shkurtër për të marrë një pronë do të ishte, krijo një parti dhe merr një pronë. Kjo nuk funksionon. Nga tërmeti ka patur shumë dëme, partia e zotit Milo… të gjitha partitë e tjera e kanë respektuar lirimin e ambientit, u është kërkuar me shumë mirësjellje.

E kemi kërkuar lirimin nga të gjitha partitë politike, të gjitha e kanë bërë. Qartazi kjo parti vendosi të mos zbatojë ligjin duke përdorur presidentit e Republikës, një njeri të sëmurë, është vërtet për të ardhur keq, që zihet me grushta. Nëse ka nevojë për sqarime kjo mund të bëhet në bashki, ose të çohet në gjykatë. Përdorimi i njerëzve që kanë degraduar mendërisht më duket fyerje e madhe edhe për institucionin e Presidencës.”- deklaroi Veliaj.

Ai përsëriti disa herë se kjo ishte pronë e bashkisë së Tiranës, ndërsa theksoi se i ofronte rehabilitim presidentit Meta dhe burrave të dhunshëm.

“Sa i përket pronës publike të Bashkisë së Tiranës është, ka qenë dhe do të jetë pronë e bashkisë. Unë e kuptoj që partitë politike pronën publike këtu e kanë abuzuar si interes të tyre. Këtë nuk e luan as topi, që kjo do të ndryshojë. Me këtë politikën e Metës dhe Berishës ‘KCK’, dua t’i them Ilir Metës dhe kujtdo të kjo minorancë se ‘koha jua mbaroi, nuk keni shans, do ta lironi pronën publike’. Burrat e dhunshëm, ata të alkoolizuar, jemi gati t’iu ofrojmë programe falas për rehabilitim, secili duhet të ketë një shans të dytë dhe ne jemi të gatshëm t’ua japim.”- tha Veliaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *