Vendosni fjalën kyçe....

Lista jonë, si të zgjedhësh mes Boingut dhe kaçatorrit të Lulit


Nga Dallëndyshe Bici

Unë kam një gëzim të pakufishëm, teksa shoh jo vetëm listën tonë të kandidatëve në Tiranë, por edhe listat në qarqet e tjera. Ka një ndryshim si nata me ditën me kundërshtarët tanë. Njësoj si të zgjedhësh për të bërë rrugën nga Shqipëria në USA me një Boing, apo me një kaçatorr.

Lista e Partisë Socialiste tregon vlerësimin maksimal për njerëzit e punës, respektin për gratë dhe vajzat duke treguar se barazia gjinore në PS nuk është demagogji televizionesh, mirënjohje për mendjet e pjekura dhe mbështetje për rininë. Përballë kemi vetëm përzierjen e të shkuarës me rrëmujën, grabitjes me papërgjegjshmërinë, autokracisë me përuljen. Ish-ministra e ish-drejtorë me në krye doktorin kërkojnë të rikthehen të pushtojnë shtetin duke përdorur fytyrën e pafajshme të Lulit.

Unë nuk mendoj se në listat tona ka vend për të thënë “prapa liste”. Ne jemi në garë, ashtu si përherë me askënd tjetër, përveçse me veten, sepse të krahasohesh me të tjerët përballë, në fakt të vjen dhe keq. Mandati ynë i tretë është për t’u ndarë njëherë e mirë me trashëgiminë e frikshme të qeverisjes të llojit faraonik, ku familja bën gjithçka, familjes i përket gjithçka, familja mund të shkelë me këmbë gjithçka, familja urdhëron drejtësinë e bën gjyqësinë.

Me vështirësi, duke kaluar pengesa pas pengesash, reforma në drejtësi është duke funksionuar. Kjo duket më mirë nga sulmet që ashpërsohen çdo ditë kundër saj. E me të njëjtin hap ecim edhe në ekonomi pavarësisht goditjeve të ashpra të tërmetit dhe pandemisë, në transformimin e qyteteve, në reformat e ndërmarra dhe që tashmë kanë nisur të japin të plota frytet e tyre. E pas kësaj, a mund të shtrohet më pyetja: Po sikur t’i zbresim Boingut, a do arrijmë më shpejt me kaçatorrin e Lulit?


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *