Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen ligjin për Aeroportin e Rinasit: U bëj thirrje deputetëve, lexoni marrëveshjen para se të ngrini kartonin


Presidenti i vendit Ilir Meta ka rikthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Aeroportin e Rinasit.

Ai ka dalë në një konferencë për media, ku tha se ky ligj është provë flagrante e kapjes së shtetit.  Meta tha se i ka argumentuar në 43 faqe dokument, të gjitha arsyet e kthimit të këtij ligji.

Mes të tjerash, presidentu u bëri thirrje të gjithë deputetëve, që të lexojnë argumentet  dhe marrëveshjen para se të ngrenë kartonët e të votojnë në Kuvend.

“Sikundër paralajmërova dy ditë më parë, dje i përcolla edhe zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dekretin për kthimin për rishqyrtim të ligjit për ratifikimin për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit për aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, pasi ky ligj bie qartazi ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta, anashkalon të gjithë kuadrin ligjor në fuqi dhe është një tjetër provë flagrante e kapjes së shtetit.

Kuvendi duhet të kërkojë vënien para përgjegjësisë të çdo funksionari publik që ka konsumuar shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit përgjatë procedurave të ndjekura.

I bëj thirrje çdo deputeti e zyrtari të lartë të reflektojë me shumë përgjegjësi për këtë nismë. Paralajmëroj se për çdo vepër penale të konsumuar nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi. Vecanërisht pas 25 prillit, Kuvendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e shtetit të së drejtës. Po u jap mundësinë të gjithë deputetëve të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimin për të ruajtur të pacënuar interesin publik.

Shpresoj të lexoni marrëveshjen, para se të ngrini kartonin. Ftoj të gjithë deputetët, edhe të opozitës, të njihen me argumentet e Institucionit të Presidentit në 43 faqe. Është një ftesë për të gjithë deputetët ta lexojnë, të mos thonë ‘nuk dinim gjë’. Por edhe opinioni publik le të njihet me këtë ‘kryevepër’ të kapjes së shtetit.”- tha Meta.

 Ky ligj që ktheu sot presidenti Meta në Kuvend, zgjat afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” në 13 vjet.

I pyetur se çfarë do të bënte në rast se Kuvendi nuk reflekton duke e kaluar gjithsesi ligjin pavarësisht argumenteve të tij, Meta tha se do bëjë detyrën e tij.

Ai theksoi se pas 25 prillit çdo dëm i bërë ndaj qytetarëve do ndiqet plotësisht.

“Lidhur me sjelljen e Kuvendit që në shumë raste nuk reflekton ndaj kthimeve dhe argumenteve nga ana e presidentit, unë bëj detyrën time në emër të institucionit që përfaqësoj. Unë shpresoj se do të ketë reflektim edhe pse gjasat janë të pakta. Sepse jemi edhe në prag bërje listash dhe ju premtohet të gjithëve të ngrenë kartonin e të ulin kokën për çështje që ju rëndojnë në xhepa shqiptarëve.

Megjithatë për të gjitha çështjet, këtu dokumentacioni është shumë i plotë. Paralajmërimet janë bërë në mënyrë ligjore dhe tepër të dokumentuara dhe nëse do kishim patur vërtet një reformë në drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do kishin guxuar ministrat, qeveria e Kuvendi të bënin ato që kanë bërë ashtu edhe afera të tjera. Megjithatë të jeni të sigurt se pas 25 prillit çdo çështje do ndiqet me interes të plotë, çdo dëm i bërë ndaj qytetarëve.”– tha ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *