Vendosni fjalën kyçe....

Sindikata e minatorëve të Bulqizës: Heqja e rentës minerare dhuratë e Ramës për Samir Manen, opozita hesht siç ka bërë gjithmonë


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideron heqjen e rentës minerare si dhuratë për biznesmenin Samir Mane.

Në një reagim në Facebook, kjo sindikatë thekson se teksa komuniteti i Bulqizës në këmbim nga pasuria e jashtëzakonshme që është marrë nga miniera e Bulqizës, as investime në komunitet, as siguri e mirëqenie, as mbështetje për familjarët në rast aksidentesh, as trajtim shëndetësor e as trajtim dinjitoz e pension.

Me rënien e minierës në duart e pak njerëzve, e gjithë pasuria e komunitetit ka shkuar në xhepat e tyre thuhet në reagimin e sindikatës.

“HEQJA E RENTËS MINERARE, DHURATË PËR SAMIR MANEN NË PËRVJETORIN E MINIERËS SË BULQIZËS

Dje, më 18 shkurt, ishte 73-vjetori i hapjes së Minierës së Bulqizës për shfrytëzim masiv dhe ndërtimit të qytetit rreth saj. Prej vitit 1948 e deri pak vite më parë, para se të privatizohej miniera, pasuria marramendëse e nxjerrë nga Bulqiza dhe zonat përreth ka ndihmuar ekonominë e gjithë vendit. Pas privatizimit dhe aferave të tjera, kromi i Bulqizës ka rënë në duart e pak njerëzve, “të fortë” e oligarkë.

Për bulqizakët dhe punëtorët e tjerë që kanë lënë kockat nëpër galeri, miniera dhe pasuria e nxjerrë prej saj kanë qenë sa bekim, aq edhe mallkim. Qindra punëtorë të vdekur, fëmijë jetimë dhe familjarë të lënë rrugëve. Aksidente e gjymtime të panumërta. Sëmundje të shumta dhe jetëgjatësi e shkurtuar prej punës në galeritë e zeza. Thuajse asgjë në këmbim! As investime në komunitetin tonë, as siguri e mirëqenie gjatë punës, as mbështetje për familjarët në raste aksidentesh, as trajtim shëndetësor, as trajtim dinjitoz në pension. Të gjitha këto edhe si pasojë e mosmiratimit të Statusit të Minatorit.” – thuhet në reagim.

Më tej, sindikata thotë se teksa në nëntor 2020 janë dorëzuar në të gjitha institucionet e vendit 11 mijë firma për Statusin e Minatorit, prej tre muajsh këto institucione janë në vënë në funksion të një ligji që i fal rentën minerare Samir Manes.

Sindikata thekson se ligji në fjalë nuk është në ndihmë të sektorit minerar në krizë as të minatorëve por është bërë specifikisht për kompanitë e Manes.

“Në muajin nëntor 2020, minatorë dhe ish-minatorë anembanë vendit, me nismën e Sindikatës sonë, ndërmorën një peticion që kërkonte Statusin e Minatorit. Ky peticion i firmosur nga rreth 11 000 qytetarë dhe i dorëzuar dy muaj më parë, nuk ka një përgjigje as sot nga qeveria, parlamenti dhe ministria. Në anën tjetër, prej tre muajsh të gjitha institucionet shtetërore janë vënë në funksion të një ligji që i fal rentën minerare oligarkut Samir Mane. Ministri, komisione parlamentare, parlament e qeveri, të gjitha bashkë derisa e miratuan këtë ligj para katër ditësh. Ndryshe nga sa e kanë propaganduar, ky nuk është një ligj në ndihmë të sektorit minerar në krizë. Ligji nuk ndihmon të gjitha kompanitë e sektorit, aq më pak qindra minatorët e lënë pa punë dhe pa paga prej muajsh. Heqja e rentës minerare është bërë specifikisht për kompanitë e Samir Manes, për të cilin janë bërë sa e sa ligje të posaçme vitet e fundit.” – thuhet më tej në reagimin e sindikatës.

Në fund, SMBB-ja shton se shteti i kryeministrit Rama nuk shqetësohet për punëtorët e qytetarët por mbështet oligarkët ndërsa opozita hesht siç ka heshtur përherë për pushimet nga puna apo situatën katastrofike të minatorëve.

Ajo bën thirrje për mbështetjen e kandidatit të pavarur në qarkun e Dibrës, Elton Debreshit, në zgjedhjet e 25 prillit.

“Një shtet që shqetësohet për mirëqenien e punëtorëve dhe qytetarëve, oligarkëve iu rrit taksat. Qeveria e Edi Ramës ua heq fare. Një shtet që shqetësohet për punëtorët dhe të drejtat e tyre, mbështet sindikatat. Qeveria e Edi Ramës mbështet oligarkët që kanë hequr minatorë nga puna pikërisht për shkak të organizimit sindikal. Heqja e rentës minerare është bakshishi i radhës i Edi Ramës për Samir Manen! Opozita hesht, siç ka heshtur vazhdimisht për pushimet nga puna, siç ka heshtur gjithmonë për situatën katastrofike të minatorëve e minierave. Politikanë e pushtetarë, të gjitha partitë politike në këta 30 vjet, të drejtat e minatorëve ua kanë shitur pronarëve dhe oligarkëve. Këtë e tregojnë qartë zhvillimet e muajve dhe ditëve të fundit. Premtimet elektorale nga ata që nuk i kanë mbajtur e veç na kanë shtypur për 30 vjet, nuk i ha më askush. Në zgjedhjet e 25 prillit minatorët e Bulqizës, Krastës dhe Klosit, si dhe gjithë qytetarët e ndershëm të qarkut të Dibrës, do kenë kë të zgjedhin për të qarë hallet e tyre: minatorin Elton Debreshi.” – mbyllet reagimi i sindikatës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *