Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Teatri do të shembet, sapo të jepet leja për teatrin e ri


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është i vendosur në shembjen e Teatrit Kombëtar, pavarësisht se kjo godinë është pjesë e listës së 14 objekteve më të rrezikuara dhe mund të përfshihet së shpejti në shtatëshen e parë.

Duke folur në programin “Real Story”, Veliaj tha se godina ekzistuese e Teatrit do të shembet sapo të jepet leja për ndërtimin e Teatrit të ri.

“Teatri do të duhet të bëhet i ri patjetër dhe do të duhet të shembet pasi ne të kemi dhënë lejen për Teatrin e Ri. Nuk bëhet fjalë për shembje, bëhet fjalë për të ndërtuar një teatër të ri. Unë kam qenë në gjykata dhe në prokurori për këndin e lodrave, patëm një president butaforik që e çoi këndin e lodrave edhe në OKB, komplet qesharake. Kështu që unë jam mësuar me këtë histori.  Ky qytet ka bërë përpara kur ata që e kanë drejtuar kanë patur guxim për veprime të rëndësishme. Nuk ka ecur përpara kur kemi patur kryetarë që kanë fjetur gjumë apo frikacakë që kanë patur frikë të marrin vendime të rëndësishme. Detyra ime nuk është të sillem si Miss-Albania, nuk ka nevojë të më pëlqejnë të gjithë. Unë dua që shumica të besojnë në këtë qytet. Ky nuk është konkurs bukurie. Kjo është një mundësi për të marrë vendime të guximshme dhe vendimi i radhës i guximshëm siç ishte ai për Astirin do jetë ky për Teatrin. Ne do kemi një Teatër të ri që fëmijët e tu dhe fëmijët e mi të mos shkojnë me batanije apo të torturohen për të parë një shfaqje.”– tha Veliaj.

Kujtojmë se muajin e kaluar, presidenti ekzekutiv i “Europa Nostra”, Hermann Parzinger i ka dërguar një letër Kryeministrit Rama, Presidentit Meta, dhe një tjetër kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, ku shprehet i shqetësuar në lidhje me vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Parzinger e konsideronte këtë një plan alarmant dhe i kujtonte tre politikanëve se Teatri Kombëtar i Shqipërisë konsiderohet një vendndodhje me rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore, jo vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë por edhe në Europë.

Parzinger i kujtonte Veliajt se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që objektet që janë përfshirë në listën e 29 vendodhjeve më të rrezikura të Trashëgimisë Europiane, të jenë shembur dhe Teatri Kombëtar në Tiranë do të ishte rast unik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *