Ditën e djeshme “Open Data” raportoi se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitali i Lushnjës kishin realizuar dy tendera për blerjen e oksigjenit duke kontraktuar të njëjtën kompani pa garë dhe me shumën më të lartë (lexo këtu).
Por duket se kompania GTS SHPK nuk ka fituar vetëm këto dy tendera, pasi vetëm gjatë muajit shkurt llogariten të paktën 4 tendera të tjerë që është shpallur fitues apo për të cilët ka lidhur kontratën.
Siç vihet re edhe në dokumentet e paraqitura më poshtë, të publikuara nga Agjencia e Prokurorimit Publik, në asnjë prej këtyre tendera duket se GTS SHPK nuk ka patur konkurent në garë.
Kompania e Besnik Halilit vetëm gjatë muajit shkurt, ka fituar dhe 4 tendera të tjerë nga katër institucione në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë: Spitali i Lezhës, Durrësit, Fierit dhe Gjirokastrës.
Duket se objekti i këtyre tenderave është i njëjtë: furnizimi me oksigjen.
Kujtojmë se biznesmeni Besnik Halili, përflitet se është “Niku” i përmendur në përgjigjet e antimafias italiane për Ndranghetën.
Shqiptari me emrin “Niku”, del në përgjime si personi i cili ka aksesin e duhur për të garantuar leje pranë Bashkisë Tiranë, nëpërmjet një pagese nën dorë.
Megjithatë biznesmeni Besnik Halili i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i konsideruar si spekulime.
“Unë refuzoj në mënyrë absolute ndonjë rol në to. Jam përmendur nga të tjerë, por për sa më përket, mund të them se vetëm po hidhet baltë dhe po spekullohet me emrin tim.”– ka deklaruar Halili në një intervistë për MCN TV.
Besnik Halili zotëron 100% të kuotave të shoqërisë NCI sh.p.k. si dhe përfaqësues i shoqërisë GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k. ku aksioner i vetëm është shoqëria italiane Sol s.p.a., e cila përmendet dhe në përgjimet e rrjedhura sot në media.
Kompania e tij, GTS SHPK duket se operon kryesisht në sektorin e furnizimit me oksigjen të rrjeteve spitalore dhe si në kohë pandemie, nevojat për oksigjen janë të shtuara.
Tenderi i QSUNT-së
Për 47 ditë QSUNT i ka dhënë 132 594 000,00 lekë kompanisë GTS, duke mos realizuar procedurën e prokurimit me shpallje të tenderit. Procedura është bërë me marrëveshje duke realizuar një tender pa konkurencë dhe oferta të tjera.
Tenderi i Spitalit të Lushnjës
Tenderi për furnizimin me oksigjen për Spitalin e Lushnjës ka vlerën 12 130 560,00 dhe kompania e ka fituar me po këtë vlerë.
Ndërkohë për furnizim me oksigjen në spitalin e Leshës, kompania e ka marrë për 24 372 000 lekë.
Në spitalin e Gjirokastrës, oferta që bën GTS SHPK për pajisjen me linjat e gazrave mjekësorë për përballimin e rasteve që paraqiten me COVID-19, shkon në mbi 9 milionë e 500 mijë lekë pa TVSH, ose në mbi 11 milionë e 400 mijë lekë me TVSH.
Në Spitalin e Durrësit, kompania e Besnik Halilit ftohet për të firmosur kontratën pasi është shpallur oferta fituese, për blerjen e gotave të oksigjenit me mbi 3 milionë e 500 mijë lekë.
Ndërkohë tenderi në spitalin e Fierit, i ndarë në disa lote për furnizimin për blerjen e oksigjenit mjekësor parashikon një vlerë kontratë që mund të shkojë në mbi 176 milionë lekë për të gjitha kontratat./Hashtag.al