Vendosni fjalën kyçe....

“Bashkia u ndërpreu bonusin, banorët kthehen në pallatin që rrezikon të shembet” – Ina Zhupa viziton familjet në Yrshek


Paraditen e sotme, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa vizitoi disa familje në Yrshek të cilët banojnë në një pallat të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Të ndodhur vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës, këto familje shprehen se janë braktisur nga autoritetet.

“Na larguan me polici pas tërmetit. Pallati u dëmtua keq. Ujëmbledhësi nuk funksionon dhe muret janë gjithë lageshtirë. E mbledhim ujin me kova brenda në shtëpi”- thonë banorët.

“Para Vitit të Ri, jemi detyruar kemi hy rë borxh që të paguanim qeranë. Më e keqja rujna Zot, po u shemb. Kupola e tarracës është shkëput, është shkërmoq. Mjerë atë që do të zërë brenda. Po u shemb ajo, bëhet qameti aty.”– thotë një banor tjetër, duke treguar gjendjen e rëndë të pallatit dhe braktisjen nga bashkia.

Siç tregojnë banorët për zëdhënësen demokrate, ata kanë marrë një shpërblim minimal, më pak 700 mijë lekë të vjetra për familje. Një shumë të cilën e konsiderojnë të pamjaftueshme për shkak të rrezikut që paraqet ky pallat në të cilin ata jetojnë.

Prej muajit gusht, bashkia ua ka ndërprerë qeranë dhe ata janë detyruar të rikthehen në një godinë që mund t’i zërë brenda.

“Na kanë dhënë 700 mijë lekë për riparim shtëpitë brenda. Për çfarë i dua unë ato? Edhe sikur 7 milionë të më japësh. Pa u rregullu sipër, nuk bëj dot riparim brenda”– thotë një banore pensioniste.

Ina Zhupa e cila ka qenë edhe më parë në këtë pallat pas tërmetit, tha se gjendja është shumë me e keqe për shkak të dëmtimeve nga reshjet dhe moskujdesit nga bashkia për ta riparuar pallatin.

“Më vjen keq që kthehem pas 14 muajsh dhe e gjej më keq sesa e lashë atëherë. Sepse nuk ishte edhe aq keq. Tani ju jeni në pasiguri totale se çfarë do të bëhet. Këta e kanë treguar me kohë që nuk kujdesen për qytetarët. E kanë treguar që nuk u bën përshtypje. Bëjnë propagandë me rindërtimin dhe me bonuset, këtu as bonuset nuk janë dhënë dhe janë ndërprerë në mënyrë të çuditshme, as pallati nuk po rindërtohet ose të rregullohet, por thjesht ju lënë të jetoni në kushte të papanueshme dhe të mjerueshme. Ne po mundohemi që t’u bëjmë një apel publik që këto ditë që u kanë ngelur qeverisje, t’i shfrytëzojnë për njerëzit.

Megjithatë, afati final është 25 prilli. Pas 25 prillit situata do të ndryshojë, ne do të mbajmë përgjegjësi për gjendjen tuaj, do të rikthehemi këtu dhe do të fillojmë rindërtimin e pallatit sipas asaj që do të vendosin inxhinierët, që ky pallat të rindërtohet dhe ju të jetoni si njerëz me dinjitet.”– u shpreh Ina Zhupa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *