Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti/ Ministria e Jashtme blen uniforma tek dyqani i hapur në Tiranë, nga “Princi” i Ndrangheta-s


Në një kohë kur mediat, politika dhe opinioni publik komentonin përgjimet e antimafias italiane dhe lidhjet e eksponentëve të “Ndragheta”-s me politikën në Tiranë, një ministri ka kryer pagesën ndaj kompanisë “Gallo Albania”.

Më datë 22 dhjetor 2020, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka porositur dhe blerë veshjea pune te dyqani “Gallo Albania”, me vlerë 44 mijë lekë.

PAGESA

Sipas dokumentit zyrtar, i cili mund të gjendet shumë lehtë në Listë-Pagaesat që publikon Ministria e Financave në faqen e saj zyrtare në internet, Proces-Verbali i Kërkesës Nr. 14, është nënshkruar më 22.12.20; po në këtë datë është bërë Fatura e Blerjes Nr. 270 me Nr. Serie 93733439; ndërsa marrja e rrobave është bërë më 28.12.2020 dhe pagesa nga ministria, është bërë më 21 janar 2021.

Dokumenti në web-faqen e Ministrisë së Financave

KUSH ËSHTË ANTONIO GALLO DHE DHURIMI I AKSIONEVE TË “GALLO ALBANIA”

Personi që njihej brenda klanit mafioz “Ndragheta” me nofkën “Princi”, rezulton të ketë hapur biznes në Shqipëri qysh prej vitit 2017.

Duke ju referuar ekstraktit të QKR-së në Shqipëri, rezulton se Antonio Gallo ose (Princi), ishte aksioner në kompaninë “Gallo Albania”.

Biznesi është hapur në 5 maj 2017 dhe se Gallo është aksioner me 50% të kapitalit të kësaj kompanie konfeksioni, ndërsa gjysmën tjetër e zotëron ortaku i tij shqiptar. Henrik Baçi

Ora News mëson se fillimisht italiani ka qënë aksioner i vetëm së bashku me shtetasin Italian, Saverio Brutto, ku emri fillestar i biznesit në Shqipëri, ishte “GALLO Antifortunictica & Abbigliamento da lavoro”.

Por në Maj 2018, dy biznesmenët italianë Gallo dhe Brutto, kryejnë një lëvizje të çuditshme, duke firmosur një kontratë noteriale për dhurimin e 50% të aksioneve një shqiptari me emrin, Henrik Baçi.

Dhurimi i kapitalit të kësaj kompanie është kryer pa asnjë kusht dhe kundërshpërblim, dhe se që prej vitit 2018, ku kompania me zyra qëndrore në zemër të zonës së ish-Bllokut në Tiranë, vijon të jetë aktive.

KUSH ËSHTË HENRIK BAÇI?

Ortaku i Gallos, Henrik Baçi, është në listën e 47 të hetuarve nga antimafia italiane dhe në shtetin fqinj rezulton me ‘arrest shtëpie’.

Në muajin prill të vitit 2020 Baçi i dhuroi spitaleve shqiptare 3000 maska mbrojtëse dhe 50 veshje kirurgjikale për të luftuar pandeminë Covid-19.

Dokumenti i dhurimit të 50% të aksioneve nga Gallo te Baçi

Por pesë ditë para ekzekutimit të faturës së mësipërme, më 26 janar, kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi me mediat mohoi kategorikisht njohjen me eksponentët e përmendur në përgjime dhe duke bërë edhe bilancin e “Gallo Albania”, shefi i qeverisë deklaronte edhe shifrat e humbjeve të saj.

Çfarë deklaronte Edi Rama më 26 janar?

“Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian. Po e lexoj për t’ju thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju që keni detyrën të informoni publikun dhe ndërkohë thjesht ushqeni tymnajën me llafe, muhabete, dëngla njerëzish që sipas prokurorisë italiane “në konkluzion, në praktikë pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjerin për investime që do të bëhen në Shqipëri ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve.

Në 2018 investimi në Shqipëri sipas bilanceve nga QKB ka shitur mallra për 5 mln lekë të reja dhe ka humbur në fund të atij viti 400 mijë lekë të reja. Në 2019 siguroi 4 mln lekë të ardhura dhe 1.8 mln lekë humbje”. Ky është citim nga konfluzinet e prokurorisë italiane. Marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqipëtarët netëve të gjata të mejhaneve televizive dhe ditëve të gjata të kërkesës për klikime dhe spektakël është turp që i mishëron më së miri atë të cilët e ushqejnë këtë lloj qasje që janë të njëjtë dhe prirjen për t’ja bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet sa herë që u jepet mundësia dhe kur nuk ka asnjë mundësi se kjo është një marrëzi e pashoqe me asnjë gjë tjetër. Flasin ca italianë, përmendin njerëz, imagjinojnë investime, përfytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar.

Nuk ka asnjë fakt, asnjë lidhje, asnjë provë dhe këtu ngrihet një tymnajë që është e neveritshme  dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë por meqë më pyetët ju lexova konkluzionin e prokurorisë italiane, merrini të gjitha ato mijëra faqe, pijuani lëngun dhe nxirrini prapë dhe villini nëpër ekrane dhe portale për ti bërë shqiptarët që t’ju vijë për të vjellë, se ky është qëllimi në fakt për fat të keq. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave. Nuk e imagjinoj  dot në një vend normal ku çdo njeri ka një mikrofon dhe një fytyrë në shërbim të publikut tu marrë kohë njerëzve për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kutërbuese budallallëku dhe poshtërsie, unë kështu e  shoh këtë punë.

Çfarë pret të të them unë? Të të them se nuk e di kush janë këta njerëz dhe as nuk kam takuar njerëz të tillë, është e kotë. Të të them nuk funksionon kështu me mua, nuk funksionon kështu me ne, prapë është e kotë. Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë dhe ju nuk keni pse bëheni pjesë e këtij turpi sipas meje. Është një mënyrë më e ulët sa nuk ka për të kërkuar avantazhe të natyrave të ndryshme në mexhelis që janë  politike, influence, duke ja bërë nënën këtij vendi faktikisht, përsëri, si gjithmonë. Në vend që të bëhet informacion bëhet dizinformacion, në vend që të bëhet debat për faktet bëhet luftë kush e shtrembëron më shumë të vërtetën. Nuk kam çfarë të them”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RTV Ora


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *