Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen në Kuvend ligjin për prokurimin publik: Krijon mundësi për shpërdorim të fondeve publike


Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj në Kuvend. Bëhet fjalë për ligjin për prokurimin publik.

Sipas presidentit, ky ligj është në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike.

Meta thotë se ky ligj cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin dhe shpërdorimin publik.

Ai rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të rishqyrtojë ligjin dhe të mbajë në vëmendje nevojën për përcaktimin e rregullave të qarta, transparente në procedura që lidhen pikërisht me prokurimin me fonde publike.

“Duke vlerësuar se ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke krijuar pabarazi në trajtimin e operatorëve ekonomikë, diskriminim të tyre, dhe duke i penguar të ushtrojnë të drejtën për liri të veprimtarisë ekonomike, edhe në raport me mundësinë e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktore, krijon mundësi për shpërdorim të fondeve publike.

Deformimi i konkurrencës shkakton pasoja direkte në cilësinë e mallit/shërbimit të prokuruar, që ka impakt direkt dhe kosto financiare, duke ulur transparencën e administrimit të fondeve publike.”– argumenton presidenti (lexo këtu).

Meta argumenton se ky ligj, edhe pse vlerësohet nga propozuesit dhe miratuesit si një nismë pozitive në raport edhe të përafrimit të legjislacionit të Bashkimit Europian në fushën e prokurimit publik, në disa dispozita të tij, që janë evidentuar dhe vlerësuar më sipër, paraqet mangësi shumë të theksuara, në drejtim të;

 – krijon një hapësirë e pakontrolluar për të shmangur konkurrencën e lirë përmes përjashtimit të operatorëve ekonomikë në prokurimin e mallrave dhe shërbimeve të caktuara;

– cenon rëndë mbarëvajtjen e procedurës së prokurimit në përputhje me parimin e transparencës në çdo fazë të saj;

– ka parashikuar mjete të reja të prokurimit, pa qartësuar rastet e kriteret e përdorimit të tyre;

– krijon barriera për ushtrimin e të drejtës së ankimit;

– keqinterpreton koncepte të sanksionuara në legjislacionin në fuqi, dhe bie në kundërshtim me përcaktimet e ligjeve me shumicë të cilësuar, si Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave Administrative;

– krijon paqartësi mbi kompetencat insituticionale të organeve të ngarkuara për shqyrtimin e ankimit administrativ;

 – krijon hapësira të mëdha diskrecionare dhe intepretative si për autoritetet kontraktore, apo Komisionin e Prokurimit Publik, që krijojnë mundësi për të abuzuar me fondet publike gjatë zbatimit në praktikë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *