Vendosni fjalën kyçe....

Moti i keq – Përmbytje në Fushë Krujë, Rrogozhinë dhe në Vlorë (PAMJET)


Shirat e shumta gjatë natës kanë sjellë probleme në zonat në Vlorë, Rrogozhinë e disa fshatra të Fushë-Krujës.

Në fakt Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (Igjeum) kishte paralajmëruar që dje se disa zona në të gjithë vendin do të rrezikohen nga përmbytjet gjatë këtyre ditëve.

Vlorë

Reshjet e dendura të mbrëmjes së kaluar dhe të mëngjesit të së enjtes kanë shkaktuar probleme të shumta në Vlorë.

Disa lagje janë pothuajse të përmbytura dhe automjetet e kanë të vështirë të qarkullojnë në këto zona.

Përmbytjet nuk kanë “kursyer” as autostradën e Vlorës, teksa prurjet e mëdha të shiu kanë bërë që hyrja e autostradës dhe aksi i hyrjes së Bypasit të përmbyten.

Bashkia e Vlorës ka dalë me thirrje për qytetarët të kenë kujdes dhe të shmangin të gjitha lëvizjet me makina.

“Duke parë kushtet e motit nê Vlorë, por edhe në të gjithë vendin, do ju luteshim të shmangnit të gjitha lëvizjet me makina për shkak të shirave të dendur dhe erërave të forta. Paralajmërimet e meteorologëve për përmbytje, na bëjnë të jemi të kujdesshëm. Kujdesuni për veten dhe familjarët tuaj! Për çdo nevojë vendosni kontakt me Ujësjellës Kanalizimet dhe Shërbimet publike të Bashkisë”, thuhet në një njoftim të bashkisë.

Rrogozhinë

Shirat e shumta gjatë natës kanë sjellë probleme të shumta edhe në Rrogozhinë. Prurjet e shtuara të lumit Shkumbin kanë bërë që lumi të dalë nga shtrati dhe të përmbytë disa zona pranë.

Në një video shihet uji duke u futur edhe në shtëpitë e banorëve të fshatit Rreth Greth. Aktualisht raportohet vetëm për dëme materiale kryesisht në elektroshtëpiake dhe blegtori.

Fushë-Krujë

Moti i keq ka sjellë dhe daljen e Lumit Ishëm nga shtrati, duke sjellë si pasojë përmbytjen e zonave përreth në zonën e Fushë-Krujës. Disa toka bujqësore janë nën pushtetin e ujit, ndërsa ka shqetësime në fshatin Murqinë pasi uji ka rrethuar disa banesa./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *