Vendosni fjalën kyçe....

Tabloidi britanik artikull për të riun shqiptar: Bën video udhëzuese se si të mbërrini ilegalisht në Britani


Tabloidi britanik Daily Mail, i ka kushtuar një artikull një të riu shqiptar i cili përmes videove në “Youtube” mëson ndjekësit e tij se si të futen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Videot e tij, të cilat janë parë më shumë se 100 mijë herë, përfshijnë këshilla për përdorimin e letërnjoftimeve të rreme, aeroportet ku këto dokumente false nuk do të zbulohen dhe pretendimet për azil.

Reperi i ri Dijonis Biba i cili është me origjinë nga Shqipëria e Veriut, ka shumë ndjekës nga vendlindja e tij në mediat sociale.

Biba përshkruan hapur se si ai mbërriti në Britani ilegalisht dhe do të dëbohej nëse zbulohej. Në një video, e regjistruar fillimisht në llogarinë e tij në Instagram dhe më pas e ribotuar në YouTube, ai përdori një hartë të Google-it për të treguar rrugën që një mik i tij përdori për të shkuar në Angli duke përdorur një ID të rreme Italiane.

Ai përfshinte udhëtimin nga Shqipëria në Barcelonë dhe më pas me autobus për në një aeroport të vogël spanjoll. Biba tha: “Ky aeroport nuk përdoret nga shumë njerëz për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Bleni një biletë në internet dhe merrni një taksi për t’ju sjellë në aeroport.”

Ai vazhdon: “Ecni ngadalë ndërsa i afroheni portës së hyrjes dhe përdorni kodin e shiritit të biletave në telefon. Pastaj ecni te kontrolli në skaner. Pastaj shkoni në vendin më të rëndësishëm ku duhet të tregoni ID-në tuaj. Duhet të buzëqeshësh si një italian. Në këtë aeroport ID-ja juaj do të tregohet si e vërtetë pavarësisht se ajo është e falsifikuar.”

Biba më pas tregoi një pjesë specifike të aeroportit: “Ky është vendi ku aeroplani … është parkuar, pastaj ngrihet lart në ajër.” Videoja e postuar në 17 maj, ka grumbulluar më shumë se 70 mijë shikime.

Në një video të publikuar shtatorin e vitit të kaluar, e cila është shikuar 30 mijë herë, ai përshkroi se si të përdoret Irlanda si një derë e pasme për të hyrë në Britani duke përdorur kartat e rreme të identitetit rumune.

“Merrni karta false dhe nisuni nga Spanja për të mbërritur në Dublin. Kur të arrini në Dublin për të kërkuar azil, atëherë ju merrni një tjetër letërnjoftim të rremë që ju kushton 300 euro, më pas në një aeroplan për në Londër.”

Duke iu përgjigjur pyetjeve të ndjekësve, Biba shpjegoi se ai ishte në Londër megjithëse po mendonte të kthehej në Francë. Ai tha se e mori pasaportën e tij të rreme rumune nga një mik.

Dhe kur një shikues e pyeti nëse do të kapej, reperi tha nëse ndodh kjo ai do të dëbohej përsëri në Dublin, ku ata i morën shenjat e gishtave kur ai mbërriti. “Përsëri nuk më intereson.”- shprehet ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *