Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 8 persona në Tiranë, mes tyre i riu që dogji pemën te Kryeministria


Tetë persona janë ndaluar nga policia e Tiranës 24 orët e fundit. Dy prej tyre kanë qenë në kërkim kombëtar ndërsa gjashtë të tjerë janë ndaluar në flagrancë.

Tre prej personave të arrestuar akuzohen për vjedhje, dy për dhunë në familje ndërsa një i ri për shkak se akuzohet se i ka vënë flakën pemës së Krishtlindjeve në bulevardin Dëshmirët e Kombit në protestën e datës 9 dhjetor.

Po kështu një qytetar është ndaluar pasi është kapur i dehur duke drejtuar mjetin e tij kurse një tjetër për trafik droge.

Njoftimi

Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi 2 shtetasve, konkretisht:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Xh., 22 vjeç, pasi më datë 09.12.2020, gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i ka vënë flakën pemës së Krishtlindjeve.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. L., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. C., 21 vjeç, pasi më datë 11.12.2020, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur mjetin motor në pronësi të shtetasit I. L.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 27 vjeç, pasi në rrugën “Shemsie Haka”, gjatë kontrollit fizik iu gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kokainë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 28 vjeç, pasi i ka vjedhur telefonin shtetasit G. Gj.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. B., 67 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna ne familje”, pasi në rrugën “Dëshmorët e Fekenit”, në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë psikologjike në prezencë të dy fëmijëve, ndaj bashkëshortes, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K.,  45 vjeç, pasi  në rrugën “Loni Ligori”, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur dhe për të shmangur shoqërimin e tij, ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. S., 32 vjeç, pasi në rrugën “Sulejman Pasha”, u kap duke drejtuar mjetin  në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *