
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin mund të arrihet së shpejti, ndërsa një armëpushim 10-ditor ka hyrë në fuqi mes Libanit dhe Izraelit.
Duke folur para gazetarëve, Trump deklaroi se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje dhe se një takim i ri mes SHBA-së dhe Iranit mund të zhvillohet gjatë fundjavës. Ai shtoi se marrëveshja mund të nënshkruhet në Islamabad, duke lënë të hapur mundësinë që të jetë i pranishëm personalisht.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë, por mendoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin,” u shpreh ai, duke shtuar më vonë se lufta “duhet të përfundojë shumë shpejt”.
Burime diplomatike për Reuters bëjnë të ditur se ka progres në negociatat jozyrtare mes palëve. Sipas tyre, fillimisht pritet të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi, i ndjekur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 60 ditëve.
Një rol kyç në ndërmjetësim po luan shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, i cili ka zhvilluar bisedime në Teheran dhe raportohet se ka ndihmuar në zgjidhjen e disa çështjeve të ndërlikuara.
Shpresat për një marrëveshje kanë reflektuar menjëherë në tregjet globale. Çmimet e naftës kanë pësuar rënie, ndërsa bursat në Azi kanë shënuar rritje, duke rikuperuar humbjet e shkaktuara nga konflikti.
Megjithatë, situata mbetet e tensionuar në Stratin e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me energji, e cila aktualisht është pothuajse e mbyllur për trafikun ndërkombëtar.
Ndërkohë, armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit, i ndërmjetësuar me mbështetjen e SHBA-së dhe Pakistanit, ka hyrë në fuqi, por mbetet i brishtë. Ushtria libaneze raportoi shkelje të tij vetëm disa orë pas nisjes, me bombardime sporadike në jug të vendit.
Trump tha se ka zhvilluar bisedime me kryeministrin izraelit dhe presidentin libanez, duke paralajmëruar ftesa për takime në Shtëpinë e Bardhë për “bisedime kuptimplota”.
Ai gjithashtu i bëri thirrje grupit Hezbollah që të respektojë armëpushimin: “Nuk duhet më gjakderdhje. Duhet më në fund paqe.”
Një nga pikat më të vështira në negociata mbetet programi bërthamor i Iranit. SHBA ka propozuar një pezullim 20-vjeçar të aktivitetit bërthamor, ndërsa Teherani ka sugjeruar një periudhë më të shkurtër, nga 3 deri në 5 vite.
Nga ana tjetër, Irani kërkon heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, ndërsa Uashingtoni këmbëngul për largimin e uraniumit të pasuruar nga territori iranian.
Konflikti, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, ka shkaktuar tronditjen më të madhe të çmimeve të naftës në histori dhe ka rritur frikën për një recesion global, sipas paralajmërimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare.