Vendosni fjalën kyçe....

Policit që i vrau djalin iu rëndua akuza, Qazim Rasha: Raste si ky ndodhin njëherë në shekull, kërkoj drejtësi


Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, ka folur për ndryshimin e akuzës për efektivin e forcave Shqiponja Nevaldo Hajdarajn që i mori jetën djalit të tij, në “vrasje me dashje”.

I pyetur lidhur me këtë, Qazim Rasha tha për “Balkanweb” se kërkon drejtësi nga shteti ndërsa shprehu besim se shteti do e bënte detyrën.

Ai tha gjithashtu se vrasja e djalit të tij, është një ngjarje që ndodh njëherë në shekull.

“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time. S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet. Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua. Kam besim se shteti do të bëjë punën e vet”, tha Qazim Rasha.

Djali i tij Klodian Rasha u vra në orët e para të 8 dhjetorit, nga efektivi Nevaldo Hajdaraj i cili i kishte shkuar pas 25-vjeçarit pasi ai kishte dalë nga banesa përtej orarit të lejuar.

Fillimisht organi e akuzës e akuzoi efektivin Nevaldo Hajdaraj për vrasje në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes. Por tre ditë më parë e ndryshoi akuzën në vrasje me dashje.

Prokuroria ka marrë kamerat e bizneseve përreth dhe sipas saj ka një pamje të plotë të asaj që ka ndodhur.

Me ndryshimin e akuzës, efektivi rrezikon deri në 20 vite burg nga 7 maksimumi që rrezikonte me akuzën e parë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *