Vendosni fjalën kyçe....

Voltana Ademi: Përgjegjësia ime të isha me protestuesit, por thyerja e PS-së nuk është ajo që duam. E thirra unë policinë


Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, ka reaguar pas protestave të zhvilluara sot në këtë qytet, ku protestuesit dëmtuan pronën e selisë së Partisë Socialiste.

Ademi thotë se ishte e pranishme në këtë protestë pasi ishte detyrë e saj të ishte me qytetarët e revoltuar për vrasjen e një të riu, por thekson se thyerja e selisë së PS-së nuk është ajo çfarë mbështet.

Madje thotë se kur protestuesit u nisën drejt selisë së PS-së, ka qenë ajo që njoftoi autoritetet më të larta të policisë.

 

“Si qytetarja e parë e Shkodrës kisha përgjegjësinë të isha sot me shkodranët e revoltuar nga arbitrartieti që çon deri në vrasje, e shtetit policor të ndërtuar nga Edi Rama në këto 7 vjet.

Ne bëmë detyrën tonë ndaj demokracisë dhe lirisë në një marshim paqësor.

Thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që ne duam dhe ajo që ne shkodranët mbështesim.

Ne nuk kemi nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta dhe përsekutimin më të egër, nuk nxisim as sot as dhunën, as urrejtjen mes vedit.

Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS-së, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim.

Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime.”- ka deklaruar Ademi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *