Vendosni fjalën kyçe....

Protestat për Klodian Rashën në Tiranë, Avokati i Popullit: Janë shoqëruar dhe të mitur, nuk janë respektuar procedurat


Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar, lidhur me protestat e zhvilluara në dy ditët e fundit në kryeqytet në lidhje me vrasjen e Klodian Rashës.

Ndërsa e konsideron të përligjur të drejtën për të protestuar dhe indinjatë, Avokati i Popullit thotë se duhet të shmangen konfliktet.

Institucioni u bën thirrje për vetëpërmbajtje të dy palëve, qytetarëve si dhe policisë.

Avokati i Popullit thotë se është vënë në dijeni, se ka patur edhe disa të mitur të shoqëruar nga forcat e Policisë së Shtetit. Ky institucion ngre shqetësimin se nuk janë respektuar procedurat e parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur.

REAGIMI I AVOKATIT TË POPULLIT

Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së djeshme dhe sotme ku janë shënuar përplasje midis një numri të madh qytetarësh që protestojnë për vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe forcave të rendit.
Ekipe të Avokatit të Popullit kanë qënë dhe ndodhen në terren për të inspektuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.
Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi nga ana e qytetarëve por edhe nga ana e Policisë së Shtetit të garantohet e drejta e qytetarëve pēr të protestuar paqësisht.
E drejta e çdo qytetari për të protestuar në përputhhje me ligjin nuk mund të cënohet vetëm për faktin se të tjerë nuk e ushtrojnë atë në përputhje me parashikimet ligjore. Përsa Policia ka të drejtë të mos lejojë e parandalojë veprimet e dhunshme, ato duhet të jenë të drejtuara vetëm ndaj dhunës.
Indinjata e qytetarëve për vrasjen e të riut 25 vjeçar është e përligjur megjithatë, brutaliteti, apo dhe shkatërrimi nuk janë të pranueshme.
Avokati i Popullit bën thirrje për qetësi dhe të gjenden rrugët alternative në mënyrë që të mënjanohet konfliktet.

U urojmë shërim të shpejtë protestuesve dhe policëve të plagosur në krye të detyrës dhe bëjmë thirrje për të shmangur ekspozimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj situatave të rrezikshme.
Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.
Avokati i Popullit mbetet në ndjekje konstante të situatës dhe do të përditësojë qëndrimet e tij edhe në vijim, sikurse që nga dita e parë.

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni, nga mediat online, por edhe shoqëria civile dhe organizata të saj, lidhur me shoqërimin e disa të miturve nga forcat e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës ose në mënyrë rastësore të pranishëm, në protestën e zhvilluar dje në kryeqytet.
Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e hetimit administrativ të shqyrtimit të çështjes me nismën e vet, për rastin në fjalë.
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.
Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se:
👉fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.
👉Zbatimi i saj në praktikë, ndër vite ka qenë puna dhe angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve publikë dhe jo publikë, por jo vetëm, edhe organizatave ndërkombëtare, institucioneve të pavarura, institucioneve të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e kuandrit ligjor në vazhdimësi, organizimin e trajnimeve të ndryshme, për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, që janë në shërbim të drejtpërdrejtë me fëmijët, organizimit të fushatave ndërgjegjësuese, ngritjes së institucioneve të reja për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.
Avokati i Popullit dhe KMPDF në vijëmësi kanë rekomanduar marrjen e masave nga ministritë e linjës dhe institucionet shtetërore, për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur!
#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve
#AP
#KMPDF


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *