Vendosni fjalën kyçe....

Njihuni me Flana Camin, kampionen premtuese 13-vjeçare në garat e hipizmit (VIDEO)


Shumë dëgjojmë për basketbollin, volejbollin, akoma më shumë për futbollin… por fare pak për sportin e hipizmit.

“ABC News” në programin “Kampionët e rinj” i kanë kushtuar vëmendje këtij lloj sporti, pak të zhvilluar në Shëipëri, duke na njohur me Flana Camin, një nga kalorëset më premtuese në vend.

Sot 13-vjeç, Flana tregon se e zbuloi pasionin për këtë lloj sporti kur ishte vetëm 7 vjeç dhe që nga ajo kohë ka vijuar duke u përmirësuar dhe tregon për marrëdhëniet e saj me kalin.

“Zbulova se kam talent në kalërim kur isha 7-vjeç dhe për pak bëj 7 vite, kam provuar shumë sporte të tjera por kur provova kalërimin ndjeva një lidhje shpirtërore me kalin. Ndoshta ngaqë kali është një krijesë e gjallë dhe topi është diçka pa shpirt dhe jam gjendur më e përshtatshme për këtë sport.”, shprehet Flana.

Kali i saj i preferuar quhet Nobel dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon me të. Ajo tregon edhe si komunikon me kalin e saj. Por nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, pasioni dhe dashuria për kalin, duhet gjithashtu edhe shumë punë.

 “Për të arritur sukses në këtë sport, duhet të kesh vulnet, passion, punë. Nuk mjafton vetëm talenti.”- thotë 13-vjeçarja.

Në familjen e saj nuk është vetëm Flana që merret me këtë sport por edhe motra e saj, Efa Cami. Madje Flana tregon se ka qenë motra e saj Efa që e ka ndihmuar shumë për të zhvilluar aftësitë e saj në këtë sport. Ndërkohë që të dyja vajzat tregojnë se e sfidojnë shumë njëra-tjetrën.   

“Në planin tim afatgjatë mendoj se një ditë do të arrij të marr pjesë në kompeticione pse jo dhe ndërkombëtare të përfaqësoj Shqipërinë. Bashkë me Flanën, ta kem konkurente do ishte shumë qejf.”– tregon Efa.

E planet e saj duket të jenë të njëjta, pasi pavarësisht sfidave dhe Flana ëndërron të njëjtën gjë: “Sfidat në këtë sport janë të shumta, por unë e shoh veten në të ardhmen që të konkuroj në garat ndërkombëtare, të përfaqësoj klubin tim dhe Shqipërinë.”

Në 2016-ën në Shqipëri, kur Flana ishte vetëm 9-vjeç u mbajt për herë të fundit gara ndërkombëtare e kërcimit me kuaj.

Profesori i saj në Akademinë e Hipizmit në “Equo Resort”, Gazmend Brahimi shprehet për Flanën:

“Flana është ndër më të mirat e grupit që unë kam. Ka vite që ushtrohet. Ka përparuar dhe ajo çfarë e diferencon është se ajo e ka shumë pasion, ka këmbëngulje dhe ka arritur rezultate goxha të mira.”

Ai tregon gjithashtu se sporti i hipizmit fillon që në moshën 8 vjeç e sipër për t’u trajnuar rregullisht, Programet janë të përcaktuara dhe ndara sipas prirjeve. Sipas Brahimit, vitet e fundit sa vjen dhe shtohet interesi për këtë lloj sporti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *