Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje qeverisë për pandeminë: Organizim i fortë e financim pa kursim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve


Presidenti Meta ka bërë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme lidhur me situatën e vështirë që po kalon vendi për sa i përket pandemisë Covid-19.

Ai thekson se nevojitet një organizim i fortë që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta e të dhimbshme me të cilat po përballen qytetarët.

“Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës së pandemisë COVID-19. Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor. Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet. Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19.” – shkruan Meta në Facebook.

Ai shkruan në rrjetet sociale se qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë duke mos kursyer financimet dhe mobilizimin e të gjitha burimeve njerëzore për t’u përballur me virusin.

“Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme. Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj. COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari.” – mbyll reagimin e tij kreu i shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *