Vendosni fjalën kyçe....

Mjeku thirrje për Ramën në 3 të mëngjesit: Zgjohu se nesër do jetë vonë, kam 3 orë në auto-ambulancë me pacientin


Një thirrje publike në orën 03:00 të mëngjesit i është drejtuar sot kryeministrit Edi Rama nga një mjek i spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Mjeku Dritan Kociaj i cili shërben në spitalin Covid 2, tha se kishte 3 orë që kuron një pacient në autoambulancë jashtë spitalit sepse nuk kishte më vende në spital dhe sipas tij, të njëjtën gjë po bëjnë edhe 6 autoambulanca të tjera.

“Ju lutem zgjohuni nga gjumi. Është ora 03 e mëngjesit sot dt 22 nëntor është ftohtë dhe kam 3 orë e gjysëm me pacient në autoambulancë në derën e spitalit Shefqet Ndroqi. Porsi unë janë dhe 6 autoambulanca të tjera me pacientë. Vende në urgjencën pritëse po kështu dhe në pavione nuk ka.”– thotë mjeku.

Kociaj i bën thirrje kryeministrit Edi Rama, ministres Ogerta Manastirliu dhe Komitetit të Ekspertëve që të zgjohen para se të jetë shumë vonë dhe të hapin spitalin Covid 4.

MESAZHI I PLOTË I MJEKUT

Thirrje publike.

Drejtuar komitetit të ekspertëve, ministres së shëndetësisë, kryeministrit të vendit. Ju lutem zgjohuni nga gjumi. Është ora 03 e mëngjesit sot dt 22 nëntor është ftohtë dhe kam 3 orë e gjysëm me pacient në autoambulancë në derën e spitalit Shefqet Ndroqi.

Porsi unë janë dhe 6 autoambulanca të tjera me pacientë. Vende në urgjencën pritëse po kështu dhe në pavione nuk ka. Vazhdojmë t’i ndërrojmë bombolat e 02 autoambulancave por kjo nuk është zgjidhje. Ndërkohë me bindje jua them se në linjën e 127 kush e di sa janë në pritje.

Ju lutem zgjohuni nga gjumi hapni sytë dhe shikoni të vërtetën në sy. Ju lutem zgjohuni dhe hapni Covid 4 qoftë edhe me infermierë për oksigjenimin e pacientëve me saturime të ulëta. Ju lutem zgjohuni dhe angazhoni shtretërit në spitalet rajonale sadopak qofshin ato.

Ju lutem zgjohuni se nesër do jetë vonë. Po kolapsohet sistemi. Çdo jetë vlen. Dhe çdo jetë e humbur do jetë në ndërgjegjet tuaja jo të ne mjekëve apo infermierëve që punojmë e do vazhdojmë të punojmë.

Dritan Kociaj mjek.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *