Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Tavos: 300 dropullitëve u është ndryshuar qendra e votimit pa dijeninë e dëshirën e tyre


Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka denoncuar çregjistrimin e 300 banorëve të Dropullit pa dijeninë e dëshirën e tyre dhe i kanë çuar të votojnë diku tjetër.

Sipas Tavos, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me emrin e tij, që është caktuar të votojë në një vend tjetër.

Ai shkruan se kjo është e qëllimshme dhe është bërë për zgjedhjet e 25 prillit. Tavo bën thirrje që kjo gjë të ndalojë menjëherë.

“Qeveri harbute, dashakeqe dhe e ligë. E frikësuar gjer në palcë për largimin e saj të sigurt e të pashmangshëm ka kryer veprime të qëllimshme për çrregjistrimin e banorëve nga vendbanimet e tyre duke i regjistruar në qytete të tjera. Emrin tim, pa asnjë kërkesë timen, e kanë hequr nga Dropulli dhe e kanë caktuar tjetërkund. 300 banorë të Dropullit i kanë çrregjistruar pa dijeninë dhe kundër dëshirës që të mos votojnë në Dropull. Gabim njerëzor justifikohen por është i qëllimshëm me synim pengimin e votuesve kundër sektit të ligë e në largim të “Rilindjes.” Kjo po ndodh në të gjithë vendin. Duke u justifikuar me gabim njerëzor cilitdo që ankohet u kërkohen dokumentacion për t’u rikthyer në regjistrimin e vendbanimit apo gjendjes civile. Kjo kërkon kohë dhe pengon banorët të votojnë.

Ky është një plan i qëllimshëm elektoral që duhet ndalur sa më parë. Ky është një plan i ligë, antidemokratik dhe antiligjor. Kjo është një arsye më shumë për ta shporrur përgjithmonë këtë sekt malinj që ka shkatërruar vendin.” –  shkruan Tavo në Facebook.