Vendosni fjalën kyçe....

Katër vite më parë e quajti fatkeqësi zgjedhjen e Trump-it, si i bishtnoi sot Rama pyetjes për zgjedhjet në SHBA


I pyetur kë mbështet në zgjedhjet presidenciale në SHBA, mes presidentit Trump dhe demokratit Biden, kryeministri Rama iu shmang pyetjes duke e kanalizuar përgjigjen në Shqipëri.

Ai theksoi se mes Bashës dhe Kryemadhit, zgjedh Bashën por për SHBA-në nuk dha asnjë përgjigje, ndryshe nga sa ndodhi katër vite më parë.

Asokohe në garë ishin demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump. Gjatë deklaratave në CNN dhe Klan Kosova kryeministri Rama asokohe u shpreh se mbështeste Clinton-in në garën presidenciale duke thënë se zgjedhja e Trump në krye të SHBA-së do ishte fatkeqësi jo vetëm për SHBA-në.

Deklarata e sotme e Ramës

“Nëse më pyesni për simpatitë mes Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, më pëlqen padyshm Lulzim Basha. Por nëse me çoni në Amerikë për dy njerëz që i njoh dhe për më tepër i kam miqë kjo nuk shkon. Këtu dihet që Lulin e kam simpati.” – tha Rama.

Deklaratat e Ramës katër vite më parë

1

“Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.”

2

“SHBA është ‘një qytet i shndritshëm mbi një kodër’ për ne, por perspektivat që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë shqetësuese dhe po cenojnë realisht atë çka SHBA është në sytë tanë. Trump është një fatkeqësi për Amerikën dhe një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhëntë Zoti që ta zgjedhin President se ky do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Unë nuk e ndaj asnjëherë veten nga vetja sot jam edhe Kryeministër.”