Vendosni fjalën kyçe....

I vunë tritol në derë të shtëpisë, flet gazetari: Nuk di ku ta drejtoj gishtin


Gazetari i televizionit “News 24” Elidon Ndreka ka folur për shpërthimin që ndodhi mëngjesin e sotëm në derën e shtëpisë së tij.

Ai ka treguar para kamerave se ngjarja ka ndodhur pas mesnate dhe shpërthimi ishte i fuqishëm

Ndreka tha se ngjarja mund të ketë pas motive që lidhen me punën e tij, por nuk di se kujt t’i vërë gishtin.

“Mbrëmë rreth orën 12 e 30 të mëngjesit ka ndodhur një shpërthim pranë portës së banesës time. Një shpërthim tritoli sipas ekspertëve të policisë, nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale në portën e banesës siç e shikoni. Nuk di të drejtoj gishtin tek një person por shpresoj që policia dhe drejtësia të zbardhë dhe t’i shkojë deri në fund ngjarjes. Dua të falenderoj policinë e cila u tregua mjaft e gatshme sapo e kam telefonuar, të cilët kanë ardhur dhe kanë kryer ekspertizën e nevojshme.

Prindërit janë në moshë janë të dy pensionistë. Unë prej vitesh ushtroj profesionin e gazetarit dhe e vetmja indidicie mund të jetë puna që bë. Por nuk di të them pasi ne jemi çdo ditë në terren, duke bërë kronika. Nuk di të drejtoj gishtin.”– tha Ndreka.

Gjatë fjalës së tij, gazetari u kërkoi kolegëve ta mendonin këtë sikur të kishte ndodhur në banesën e tyre. Ai tregon se në banesë kishte të gjithë familjarët dhe vajza e tij e vogël kishte filluar të qante si pasojë e tronditjes. Ai shprehet se ka besim se policia do të mund ta zbardhë ngjarjen.

“Kjo si ngjarje është mjaft e rëndë dhe do të doja që çdo koleg ta mendojë sikur të ishte në shtëpinë e tij, pasi në shtëpi jetoj me babin mamin bashkëshorten dhe 2 vajzat.

Tronditja ishte e madhe vajza filloi të qante në mesnatë pasi shpërthimi ishte goxha i rëndë. Ngjarje të tilla secili koleg që i sheh në banesën e tij do e kuptonte se sa e rëndë është.

Kam besim të plotë që do të zbardhet në bazë të provave që kanë gjetur si në vendin e ngjarjes si dhe nga kamerat që ndodhen në shtëpinë time. Janë sekuestruar tashmë pamjet filmike dhe shpresoj se do gjendet. Ngjarje të tilla të japin kurajo për të vazhduar edhe më tepër dhe do të vazhdoj”, tha ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *