Vendosni fjalën kyçe....

Adriatik Doçi: Ka pasur ndërhyrje që mos të vijoja investigimin e nënshtetësisë


Në seancën e sotme dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, gazetari Adriatik Doçi ka deklaruar se ka pasur shantazhe ndaj tij, për të mos vijuar me publikimin e shkrimeve të tjera lidhur me nënshtetësitë e dhëna në shkelje të ligjit nga presidenti Ilir Meta.

“Gjatë investigimit janë ngritur natyrshëm disa pyetje, se cilat janë institucionet që i kanë rekomanduar presidentit për të klasifikuar si personalitet kombëtar njeriun që ka vrarë dhe 3 fëmijë dhe prindërit e tyre.

Në përgjigje të këtyre pyetjeve të ngritura kam marrë dhe disa sulme personale dhe familjare të cilat i konsideroj të natyrshme për shkak të këtij misioni që kemi, por absurde kur vijnë nga institucioni i Presidentit që paguhet nga taksat tona për të përfaqësuar unitetin e popullit dhe në këtë rast është marrë personalisht me mua dhe familjen time.

 Nuk kemi pasur ankesë në adresë të televizionit, por vetëm sulmet e presidencës duke i cilësuar këto fakte si komplot politik.

Sulmet janë nga zëdhënësi i presidentit të Republikës që e përfaqëson presidentin në disa dalje, ka bërë akuza të pabaza, ka bërë akuza të pabaza duke marrë deklarata copy paste, me një kërcënim në fund që shumë shpejt do të vihet drejtësia.”- deklaroi Doçi.

I pyetur më pas nga deputetja socialiste Ermonela Felaj, nëse në telefonin e tij kanë mbërritur kërcënime, ai e mohoi këtë. Por shtoi se ka patur ndërhyrje që ai të mos vijonte me publikimin e emrave të tjerë.

“Në telefonin tim nuk kanë mbërritur kërcënime, por ndërhyrje të papërshtatshme për të mos vijuar më tej me publikimin e emrave.”- tha Doçi.

Gazetari i portalit Shqiptarja.com dhe televizionit Report Tv, tha se ka pasur reagime nga personat që u ka dalë emri në listen e publikuar nga ai, për marrjen e nënshtetësisë shqiptare.

Ai tha se mesazhet “kanë qenë të natyrës mbrojtëse dhe kanë paraqitur pretendime që nuk janë të bazuara akuzat dhe investigimi”, por kanë thënë se e kanë marrë nënshtetësinë duke paraqitur dokumentet si gjithë të tjerët.

Gazetari u pyet gjithashtu nëse kishte arritur të konfirmonte vërtetësinë e listës me emra, por ai tha se s’ka marrë një përgjigje zyrtare.

“Në rrugë zyrtare nuk kam një përgjigje nga SHISH apo Ministria e Brendshme. Verifikimi është bërë shpejt. Kemi një rast që nuk është verifikuar, atë të futbollistit. Ndërsa në listën me 419 emra nuk kemi emra që nuk kanë një kontribut” – tha Doçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *