Vendosni fjalën kyçe....

Meta kujton Migjenin: Vargjet e tij simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore


Presidenti Meta ka kujtuar sot poetin e njohur, Migjenin, duke postuar disa nga vergjet e tij.

Në komentin e kreut të shtetit mbi vargjet e poetit, theksohet se ato janë uragan frymëzimi e kushtrimi e njerëzve që s’e durojnë dot shtypjën e padrejtësinë.

Presidenti shkruan më tej se vargjet e Migjenit simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë.

“Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë. Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik.” – shkruan Meta.

Më tej presidenti shton se vargjet e poetit sot janë më aktuale se kurrë duke qenë se të ardhmes europiane të vendit i qëndron përballë shkatërrimi i shtetit e dinjitetit njerëzor, korrupsioni i llahtarshëm e përdhosja e vlerave kombëtare.

“Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë. Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare. Por veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka  konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt.” – vijon Meta.

Në fund ai ka postuar katër vargje nga një prej poezive më të njohura të Migjenit.

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”