Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa Osmani: Krijimi i Asosacionit do i kthente komunat në veri të Kosovës në Republikë Srpska


Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, deklaratën e Kryeministrit Avdullah Hoti se në Bruksel është hapur tema e Asosacionit për komunat serbe.

Osmani thotë se informata me shkrim nuk ka akoma nga ajo çka është duke ndodhur në Bruksel dhe deklarata e Hotit është një çështje që është mbyllur me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeparlamentarja theksoi se krijimi i Asosacionit do krijojë një Republikë Srpska në Kosovë dhe disfunskionim të shtetit.

Informata konkrete me shkrim akoma nuk kemi rreth asaj se çfarë po ndodh në Bruksel, mirëpo nga deklaratat që po jepen, thuhet se është rihapur çështja e Asociacionit, çështje që ka qenë e mbyllur me vendimin e Gjykatës sonë Kushtetuese.

Gjithashtu, është rihapur çështja e pronave, çështja e cila ka qenë e mbyllur për Republikën e Kosovës që nga 17 Shkurti i vitit 2008, dhe po rihapen çështje të të drejtave të pakicave, çështje që ne i kemi mbyllur me Pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse ju e dini, me të gjitha ato koncesione që janë bërë në Pakon e Ahtisarit, Kosova pati ardhur buzë defunksionalitetit të plotë. Tani, nëse bëhen edhe hapa tutje në praktikë, do të nënkuptojë një Republikë Srpska të re në veri, dhe do ta defunksionalizojë shtetin tonë, do të krijojë kriza të njëpasnjëshme dhe kjo në fakt nuk është e mirë as për ne, as për rajonin, sepse rajoni do të vazhdojë të jetë në krizë, siç po prodhon krizë Republika Srpska, që është pjesë e Bosnjës, dhe do t’iu duhet edhe Bashkimit Evropian edhe Shteteve të Bashkuara të kontribojnë në stabilitet”-tha Osmani.