Vendosni fjalën kyçe....

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Artur Gaxha


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Artur Gaxha.

Gjatë procesit të vlerësimit nga ky komision, Gaxha u përball me një seri problemesh të pasurisë.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nuk kishte konstatuar probleme në pasurinë e Gaxhës, por KPK arriti në përfundimin se gjyqtari rezultonte me pamundësi financiare në dhjetëra milionë lekë për krijimin e pasurive të tij si dhe mosdeklarim të pasurive dhe huave.

Gaxha tha se raporti i KPK-së për të kishte gabime të rënda dhe të pabazuar në prova. “E konsideroj si paaftësi, për të mos e vlerësuar me dashakeqësi. Një guxim të tepruar për tejkalimin e ligjit nga Komisioni”, deklaroi gjyqtari Artur Gaxha.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare të Gaxhës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe180 m2 në Tiranë në vitin 2015 për shumën 200 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, ai ka deklaruar një kredi në vlerën 120 mijë euro, 41 mijë euro të përfituara nga shitja e një apartamenti në Golem, 1.5 milionë lekë nga shitja e një automjeti dhe kursime familjare.

Kur është nënshkruar kontrata e pasurisë në vitin 2010, Gaxha ka deklaruar se ka paguar këstin e parë në shumën 60 mijë euro, por pa pasqyruar burimin e kësaj vlere. Detyrimin e mbetur ndaj kompanisë ai e ka shlyer në vitin 2015. Komisioni ka identifikuar një kontratë të dytë ku ishte ndryshuar plani i pagesës së kësteve.
Gaxha tha se në kontratën finale nuk përcaktohej se kur dhe si do të shlyhej vlera 140 mijë euro. Ai këmbënguli se këstin e fundit e ka shlyer në vitin 2015, kur ka marrë në dorëzim apartamentin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *