Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton zonat ku do lejohet hapja e kazinove në Tiranë


Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime që rregullojnë çështjen e numrit të kazinove në vend. Vendimet janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikojnë zonat ku lejohet aktiviteti i kazinove në kryeqytet.

Vendimi i parë parashikon zonën ku do të lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”, në qytetin e Tiranës, sipas hartës që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe që ndodhet brenda kufizimeve të rrugëve, si më poshtë vijon: “Rruga: “Barrikadave”; Rruga: “Urani Pano”; Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh Ë. Bush””.

Ndërkohë vendimi i dytë është ai që përcakton procedurat e zhvillimit të garës, kriteret shtesë për aplikantët që konkurrojnë për t’u pajisur me licencë për kategorinë “Kazino” e procedurën e shpalljes së fituesit, si dhe rastet e revokimit apo të pezullimit të kësaj licence.

“Kategoria e lojës së fatit “Kazino”, për qëllime të këtij vendimi, është një zonë e veçantë për zhvillimin e lojërave të fatit, ku lojtarëve u ofrohet mundësia për të luajtur me mjetet e lojërave të fatit, si makina të tipit slot, video-lotari ose makina elektronike, me shumë lojtarë, si dhe tryeza loje të quajtura “lojëra live”.  Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, është autoriteti i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licencë për kategorinë “Kazino” shkruhet në vendim.

Vendimi përcakton gjithashtu procedurat që duhen ndjekur për të garuar për licencë kazinoje. Gara për dhënien e licencës për “Kazino” shpallet nga Autoriteti  dhe se njoftimi për hapjen e garës për dhënie licencë për kategorinë e lojës së fatit “Kazino” shpallet nga Autoriteti, i cili ka detyrimin të publikojë njoftimin për konkurrim në lojërat e fatit për kategorinë “Kazino”, në faqen e saj zyrtare të internetit, në dy gazeta, që botohen në vendin tonë, në dy numra radhazi, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.

Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendës ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Kazino”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:

a) të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati, sipas llojit të lojës që kërkohet;

b) shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;

c) të deklarohet burimi i kapitalit, që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë”;

ç) të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit;

d) të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;

dh) të paraqesë garancinë pasurore, së bashku me aplikimin dhe me kushtet e sekuestrimit të kësaj garancie;

e) të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit;

ë) të ngrejë serverin, në të cilin do të jape informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga AMLF-ja në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. AMLF-ja do të ketë akses në kohë reale te ky server./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *