Vendosni fjalën kyçe....

Grida Duma bardhezi nga Thumana: Si e përdori Rama tragjedinë e familjes Cakoni


Ish-deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, ka publikuar një komunikim në ngjyrat bardhë e zi nga Thumana, ku kujton tërmetin e 26 nëntorit.

“Thumanë, këto rrënoja janë një dëshmi e gjallë e tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit. Një goditje e natyrës, e tërmetit, por në fakt edhe një goditje e shtetit, e papërgjegjshmërisë së shtetit dhe autoriteteve.
Sepse ngjarja fillon dy muaj më parë në shtator. Në shtator këto godina u paragoditën nga një tërmet dhe u goditën në atë mënyrë që ishin të pariparueshme, të pabanueshme. Banorët kërkuan ndihmë, kërkuan që t’i thuhej nëse mund të strehoheshin përsëri aty apo jo. Asnjë qartësi, çdo pasiguri. Të lënë braktisur, vendosën të kthehen ashtu në banesat e tyre dhe ashtu presin fatalitetin, ngjarjen e 26 nëntorit të atij tërmeti i cili i mori jetën dhjetëra qytetarëve dhe që dëmtoi në Thumanë në mënyrën më tragjike, duke e kthyer në simbol Thumanën të tragjedisë njerëzore.”– deklaron zonja Duma.

Mes të tjerash, ish-deputetja kujton në veçanti rastin e familjes Cakoni, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka përdorur dhimbjen e Thumanës për propagandë.
Duma me një mesazh video tregoi të gjithë rastet kur kryeministri ka përdorur Manjola dhe Alesio Cakonin, duke iu premtuar ndihmë dhe shtëpi nga shteti.

“Çdo familje që pësoi atë tragjedi, në fakt vijojnë edhe sot të jenë viktima dhe vuajtëse të asaj tragjedie. Njëra prej tyre është familja Cakoni, të cilën besoj se qytetarët shqiptarë do ta kujtojnë në momentin kur Alesio, djali 11-vjeçar, që kishte humbur babain dhe motrën 15-vjeçare, shpëtoi mrekullisht. Ai nuk mban mend si shpëtoi, u hodh apo e shpëtuan por ai dhe e ëma shpëtuan.
E ëma qëndroi në koma gjatë, Alesio në shtratin e spitalit, ende në traumën që kishte humbur babain dhe motrën, gjithçka, dhe nuk dinte mirë nëse e ëma do t’ja dilte, duhej të përballonte furtunën propagandistike. Rama i shfaqet aty në shtratin e spitalit, e përdor një fëmijë 11-vjeçar për show-n e vet.”- deklaron Duma.

Ajo kujton të tjera fragmente, si foton e famshme me Cristiano Ronaldon, apo ditën kur me një automjet i shfaqet për ta dërguar në shkollë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *