Shqipëria regjistroi rastet e para me virusin e ri korona Sars-Cov 2 në datën 9 mars të këtij viti dhe që ajo ditë deri më sot janë bërë 5 muaj.
Por si ka ecur përmes shifrave pandemia e Covid 19 në vendin tonë për 5 muaj resht.
Deri më sot janë regjistruar 6817 të infektuar nga 47676 testime në total sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.
Aktualisht nuk kanë mundur të fitojnë betejën me sëmundjen 208 persona.
Shpërndarja e vdekjeve sipas qarqeve në Shqipëri është: Qarku Tiranë 102, Shkodër 33, Durrës 30, Fier 10, Elbasan 8, Korçë 6, Lezhë 5, Kukës 5, Vlorë 5, Dibër 2, Berat 1, Gjirokastër 1.
Numri i personave të cilët janë shëruar nga Covid 19 janë 3552 persona, ndërsa raste aktive janë 3057 qytetarë.
Numrin më të lartë të personave aktivë me koronavirus e mban qarku i Tiranës me 1678 raste ndërsa numrin më të ulët e regjistron qarku Gjirokastër me 33 të infektuar.
Aktualisht në dy spitalet (Infektiv dhe Shefqet Ndroqi) po kurohen për koronavirus 116 pacientë ku 20 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar.
Vendi në fillimin e pandemisë aplikoi masat shtrënguese dhe karantinoi të gjithë vendin duke lejuar vetëm një kategori personash të punonin dhe me lehtësimin e masave filloi edhe rritja e numrit të personave të infektuar.
Aktualisht masat shtrënguese janë për një kategori të vogël biznesesh si lojërat e mbyllura, aktivitetet festive dhe mortore, apo edhe pishinat e mbyllura.
Shqipëria nuk ka kufizime për asnjë qytetar vendas apo të huaj që kërkon të hyjë apo të dalë nga kufiri i vendit dhe ndryshe nga shtetet e tjera nuk aplikon karantinimin apo kërkesën për testin e negativizuar për koronavirus.