Vendosni fjalën kyçe....

Meta pret në Presidencë ambasadorët e BE-së, çfarë u tha


Vetëm dy ditë pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim, presidenti Ilir Meta pret në Presidencë disa ambasadorë të vendeve të BE-së.

Meta zhvilloi një takim me ambasadorët e Francës, Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Suedisë, Bullgarisë dhe Republikës Çeke.

Në takimin me ambasadorët, kreu i shtetit u ka thënë diplomatëve se do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.  Ai i ka njohur ata dhe me qëndrimin e tij të prerë sa i takon ndryshimit të Kushtetutës.

“Kënaqësi të prisja sot Ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar të aktedituar në Tiranë.
I sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.
Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.
I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjesojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.”– shkruan Meta.

Takimi i Metës me ambasadorët vjen një ditë pas kalimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 Qershorit, për Reformën Zgjedhore, e cila ka qenë dhe një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ndërsa takimi me ambasadoren Kim ishte një ditë para miratimit të marrëveshjes në Kuvend.