Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Devoll: Do japim 100 milionë euro subvencione, të nxjerrim fermerin nga kriza


Kreu demokrat Lulzim Basha, në takimet e tij të vazhdueshme me bizneset u ndal këtë të dielë në Korçë, specifikisht në Devoll.

Basha u shpreh se gjendja ekonomike e vendit është shumë e rënduar dhe sipas tij programi ekonomik i Partisë Demokratike do të jetë një zgjidhje, i cili do të zbatohet sapo të vijë në pushtet.

“Prandaj, subvencionet janë jetike për fermerët. Nuk i ka shpikur askush tjetër, përveç Bashkimit Europian edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka rrugë tjetër për bujqësinë për t’u mbështetur përveç subvencioneve ”– tha kreu i PD-së.

Po ashtu ai shtoi se programi i tij parashikon që të jape 100 milionë euro subvencione çdo vit për fermerët.

“Me programin tonë prej 100 milionë euro subvencione çdo vit, ne do të arrijmë jo vetëm ta stabilizojmë gjendjen dhe ta nxjerrim fermerin shqiptar nga kriza, por t’i japim kushte të barabarta konkurencë në tregun tonë dhe madje t’i eksportojmë. T’i japim impulse eksportit, të prodhimeve tona, pra të arrijmë të eksportojmë, prodhimet e fermerëve shqiptarë. Jo vetëm të ndihmojmë fermerin shqiptar për të konkurruar denjësisht në tregun e brendshëm, por, po kështu, do të ndihmojmë që prodhimet tona të eksportohen”- shtoi Basha.

Këto deklarata Basha i bëri pasi dëgjoi ankesat e fermerëve, të cilët u ankuan se po i shesin produktet e tyre nën kosto. Një prej tyre i tha Bashës se kishte pasur 40 milionë lekë humbje vitin e kaluar dhe se është drejt falimentimit. Ai e nxorri koston e patateve më të lartë se në Maqedoninë e Veriut , Kosovë e në Greqi. I njëjti tha se e ka shitur pataten me 70 lekë të vjetra.

“Kemi humbur rreth 40 milionë lekë të vjetra. Këtë vit jam shumë i rrezikuar. Dhe konsumatori nuk mund ta blejë pataten me 600 lekë, kur unë e kam shitur me 70 lekë të vjetra.”– tha fermeri.

Basha u tha fermerëve që motoja e tij do jeti një shtet në krah të tyre.

 “Një shtet në krah të punës, në krah të njerëzve punëtorë, një shtet dhe një qeveri në krah të fermerëve dhe të njerëzve punëtorë. Kjo është motoja ime dhe kjo do të jetë realiteti me qeverisjen e ardhshme”– u shpreh së fundmi kryedemokrati.

Basha tha se nuk premton asnjë mrekulli dhe nuk ka nevojë për mrekulli por vetëm për një qeveri, që ndjen dhimbjen e tyre dhe bën gjithçka për t’i ndihmuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *