Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen në Kuvend ligjin për “kriptomonedhat”


Kreu i Shtetit Ilir Meta nëpërmjet një dekreti ka firmosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Ky ligj ka të bëjë me monedhat e reja digjitale ose të quajtura ndryshe “kriptomonedhat”.

Në dekretin e tij, Presidenti sqaron se kthimi i ligjit bazohet në tre shtylla kryesore:

-Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë;

 – Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale;

– Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues.

Sipas Presidentit, Kuvendi duhet të rishikojë me kujdeset e ligjit për të gjitha risqet që lidhen me aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave.

Kuvendi duhet të analizojë me kujdes në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit tonë dhe në raport me kapacitetet për ushtrimin e kontrollit efektiv, të gjitha risqet që lidhen me paqëndrueshmërinë, natyrën e decentralizuar, kërcënimet e perceptuara ndaj sistemeve monetare aktuale dhe hapësirave që mund të krijohen për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave përmes aktiviteteve tregtare virtuale. Kuvendi gjithashtu duhet të ketë në vëmendje që ky ligj, duke mos përcaktuar mekanizma për parandalimin e shmangies fiskale, rrezikon të çojë në dëm të konsiderueshëm në financat e shtetit, në cenim të interesit publik”, thuhet në fund të dekretit.

Meta thekson gjithashtu se një ligj i tillë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi. “Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”, shton ai.

Meta thotë gjithashtu se miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare.

“Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja.” –thekson më tej kreu i shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *