Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj i del në mbrojtje Shahinit: Besa po sulmohet se është ndryshe, mos kërkoni fajin te ajo për dështimin tuaj


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka dalë në mbrojtje Ministres së Arsimit Besa Shahini e cila  ditën e sotme reagoi e revoltuar kundrejt kritikave që persona të shumtë të cilët ajo i quajti opozitarë, bëjnë në rrjete dhe në media për dialektin e saj.

Lleshaj thotë se Besa po sulmohet për shkak të dialektit të saj duke e cilësuar të turpshëm pasi në kritikat ndaj saj nuk ka ndonjë shqetësim për arsimin shqiptar.

Sipas Lleshajt Shahini sulmohet sepse është ndryshe dhe nuk ka dalë nga sistemi arsimor shqiptar.

Më tej Lleshaj edhe kritikat drejtuar saj për Maturën Shtetërore nuk ia vesh ministres por ekspertëve dhe cilësisë që ka prodhuar sistemi për 30 vite në arsim.

Reagimi i plotë:

Janë bashkuar shumë “burra” kundër Besa Shahinit. Duket se këta i bashkon më shumë një zell i turpshëm kundër Besës sa ndonjë shqetësim i sinqertë për arsimin shqiptar, për gjendjen e të cilit ata janë përgjegjës shumë herë më tepër sesa Besa.

Besa sulmohet se është një rast ndryshe. Ajo nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tona të shumta, nuk ka qenë studente apo shoqe e ndokujt që bërtet, nuk është nga Tirana, tingëllon pak gegnisht kur flet, vjen nga Kosova…. Vetëm këto janë “mëkatet” e saj.

Ajo nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës tonë. Ajo nuk ka mundur ende as t’a rregullojë atë.

Kush kupton sadopak nga arsimi e di mirë se efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të merret për një apo dy vjet.

Të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e Maturës Shtetërore, duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkollat që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë.

Ato teste i kanë bërë studentët e atyre që bërtasin dhe që janë gati të fajësojnë gjithë botën për cilësinë e produktit të tyre.

E vetmja gjë që ka arritur të bëjë Besa, gjatë muajve të ushtrimit të detyrës së saj, është përpjekja për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave.

Një sistem ku “profesorët” ulërijnë dhe shajnë pa kurrëfare etike, ndërkohë që kanë marrë paga nga universitetet kioska pasi kanë firmosur me mijëra diploma pa vlerë, të cilat ngjajnë më shumë me mandatet e pasurisë që lëshonte Sudja e piramidave sesa me diplomat normale të universitetit.

Ata që kanë heshtur përpara gjëmës së bërë kundër arsimit me universitetet piramida, ata që i kanë kthyer universitetet ku punojnë në hane ku edhe analfabetet pretendojnë për notë maksimale dhe ku nuk mbetet askush, ata që e kanë katandisur universitetin në fund të listave të renditjes botërore nuk mund të gjejnë asnjë alibi tek Besa.

Është fat që ajo është ndryshe edhe në formim edhe në nivel nga autorët e gjendjes së sotme të arsimit.

Është fat që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar.

Besa kërkon një shkollë ku nxënësit dhe studentët mësojnë si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë, një shkollë që frymëzon dhe jo një shkollë që indoktrinon.

Ju, ithtarë, viktima dhe autorë të një sistemi të dështuar, heshtni! Mos e kërkoni tek Besa fajin për dështimin tuaj.

Si kosovare, ajo është po aq, në mos edhe më shumë, shqiptare se ju; si e diplomuar në Europë, ajo është edhe më e mirëarsimuar se ju.

Dhe mbi të gjitha: si një grua që nuk ju shan, ajo ka më shumë dinjitet se ju. Bëhuni pra burra dhe heshtni!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *