Vendosni fjalën kyçe....

Dy deputetët tërheqin firmat nga kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës


Dy deputetë kanë tërhequr firmën që kanë hedhur për ndërhyrje në Kushtetutën për të mundësuar listat e hapura për deputetë. 

Bëhet fjalë për kreun e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi dhe deputeti tjetër i kësaj partie, Besnik Troplini.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Roshi shkruan se e tërheq firmën pas deklaratave në media se ndërhyrjet në Kushtetutë për këtë çështje synojnë gjithashtu të pengojnë koalicionet parazgjedhore.

Ai e konsideron këtë shqetësuese si dhe vendosjen e pragut prej 5% sipas tij.

Dy deputetët duket se e kanë marrë këtë nismë pas reagimeve të shumta që pati nga Partia Demokratike, që e akuzoi opozitën parlamentare si pjesë të lojës së PS-së, për të penguar mundësinë e daljes në një koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

REAGIMI I ROSHIT

Pse Balli Kombëtar Demokrat tërheq firmat nga Kërkesa për ndërhyrje në Kushtetutë ?

Ndërhyrja në Kushtetutë për hapjen e listave është një iniciativë e sinqertë e Opozitës Parlamentare, por që parashoh se do të ketë një përballje me pandershmërinë e pushtetit.

Të premten 29 deputetë të Opozitës Parlamentare depozituan një kërkesë për ndërhyrjen në Kushtetutë në nenet 64 dhe 68 me qëllim hapjen e listave.

Në diskutimet e mia me kolegët tentova që të bënim një kërkesë të qartë, megjithatë firmosa në një marrëveshje xhentëllmenësh se do të qëndrohej në hapjen e listave, që do të thotë se duhet ndryshuar Neni 64 i Kushtetutës dhe praragrafi i dytë i Nenit 68 “Renditja e Kandidatëve për deputet ne listat shume emërore nuk mund te ndryshohet pas paraqitjes se listës”.

Anonçimi në media se do ndërhyhet në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe vendosja e pragut 5% është shqetësuese sepse tregon se dikush është i interesuar.

Këtë interes mund ta shfaqi ai që sheh se i afrohet mundësisë dhe fuqisë së kartonit për ta bërë këtë.

Kjo lloj ndërhyrjeje, do të thotë ruajtjen e statukuosë, ruajtjen e sistemit bipolar politik që është sot, ruajtjen e sistemit të pengut nga kontrolli absolut i tregut politik.

Pra Ajo që ndryshon është vetëm mënyra se si arrihen këto.

Thënë më qartë, ndryshojnë formulën por ruajnë kapjen e sistemit që kanë sot.

Nevoja e vendit kërkon një demokraci të fortë e cila nuk mund të bëhet pa një pluripartitizëm,i cili është i pashmangshëm nëse vota e qytetarëve ështē e lirë dhe kalon nëpër një formulë zgjedhore që reflekton një përthyerje të papërfillshme në raport me vullnetin e tyre.

Liria e votës,kërkon lirinë e besimit qytetar i cili garantohet nga një formulë zgjedhore që nuk lejojon vjedhjen e institucionalizuar të votës dhe konkretisht një sistem propocional kombëtar pa prag të poshtëm.

Liria e votës kërkon procedurën e ruajtjes,indetifikimin biometrik,votimin dhe numurimin elektronik,largimin e faktorit njrëzor sa të mundemi nga sistemi i numurimit,depolitizimin e komisioneve të zvogëluar me ekonomistët e bankave dhe avokatë.

Financimi i partive me parimin “një votë kushton X-Lekë”, bën që të ruhet konkurueshmëria në tregun politik,kundrejt finacimit të sotëm që financohen vetëm dy,tre apo dhe katër parti.

Listat e hapura na çojnë tek kandidatë me integritet,por që pa lirinë e votës të çojnë sërish tek horrat.

Interesi i Partive të vogla shkon në përpjestim të drejtë me rritjen e demokracisë,për rrjedhojë me interesin e shqiptarëve.

Mbajtja me çdo kusht në treg vetëm dy parti,prodhon këtë që kemi sot autokracinë që stimulohet nga pushteti i fortë që i jep ky kod zgjedhor që kemi.

Ndëryrjet e këqia në Kushtetutë bëjnë dëme të pariparueshme për shoqërinë.

Ato mund të atrofizojnë demokracinë si elementi bazik i cilësisë së jetës.

Në këtë këndshikim ndjehem i pasigurt se si do të preket Kushtetuta,prandaj dy firmat e deputetëve të Ballit Kombëtar Demokrat, e imja dhe e z.Besnik Troplini do të tërheqiqen nga lista e 29 deputetëve të Opozitës Parlamentare për ndërhyrjen në Kushtetutë.