Vendosni fjalën kyçe....

Meta bën publike platformën me 14 pika të propozuar për politikën dhe ambasadorët


Kreu i Shtetit Ilir Meta në një konferencë për mediat për zhvillimet e fundit në vend bëri publike edhe platformën me 14 pika të cilën ai e ka bërë të ditur edhe për ambasadorët e huaj në vendin tonë dhe politikën shqiptare.

Nisur nga zhvillimet shokuese në vend, lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar më duhet t’iu them se kam bërë çdo përpjekje jo vetëm për të menaxhuar si vend pandeminë, por edhe të angazhohemi që të kemi një klimë sa më pozitive pasi në qershor kemi provimet e integrimit evropian.

Për këtë arsye që më datën 8 prill i kam nisur kryeministrit Rama platformën të cilën sot po e bëj publike, të cilën ia kam bërë të ditur edhe Ambasadorëve të huaj në vend”-tha Meta.

Në këtë draft propozim me 14 pika, preken disa nga çështjet më të diskutuara në debatin publik.

Që nga reforma zgjedhore e cila duhet të bëhet sipas rekomandimeve në Drejtësi te funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe deri te Këshilli Politik si organ nga i cili duhet të merret konsensusi për çdo ndryshim kushtetues apo ligjor.

Platforma e plotë:

1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *