Vendosni fjalën kyçe....

Firma spanjolle spiunoi Assange në ambasadë, i vodhi dhe pelenat e djalit


Një firmë spanjolle e sigurisë ka spiunuar nënën e të fejuarës së Julian Assange dhe ka regjistruar në mënyrë të paligjshme disa orë filmime të djalit të tyre të vogël.

Kështu tregojnë dokumentet e gjykatës, sipas Australian Associated Press.

Më 11 prill Stella Moris zbuloi se ishte e fejuara e themeluesit të WikiLeaks Julian Assange, tre ditë para se një gjykatë në Londër të hiqte një urdhër mos botimi në emrin e saj.

Avokatja 37-vjeçare dhe Assange kishin sjellë në jetë dy fëmijë ndërsa ai po kërkonte azil dhe qëndronte në ambasadën e Ekuadorit në Londër, midis viteve 2012 dhe 2019.

Sot Assange është i burgosur dhe tani po lufton në një gjykatë në Londër për të shmangur ekstradimin në SHBA, ku rrezikon të përballet me akuza për spiunim e hakim të kompjuterave qeveritarë.

Firma spanjolle UC Global ishte zgjedhur për sigurinë në ambasadën e Ekuadorit. Por kompania dyshohet se në të njëjtën kohë, po spiunonte australianin dhe mysafirët e tij në emër të SHBA-së.

Një ankesë penale kundër pronarit të UC Global, David Morales, aktualisht po hetohet nga Gjykata Kombëtare e Spanjës. Dokumentet e gjykatës tregojnë detaje mbi spiunimin e Morrisit, nënës së saj dhe djalit të vogël të Assange, Gabriel.

Morales dërgoi një email për stafin në 21 shtator 2017, duke kërkuar që të kushtonin “vëmendje të veçantë për Stella Moris”.

Ai madje urdhëroi dikë që të spiunonte dhe nënën e Moris, e cila siç kishte zbuluar ndërmarrja po jetonte në provincën spanjolle të Katalonjës.

“Nëse është e nevojshme, unë dua një person plotësisht të përkushtuar për këtë aktivitet, kështu që nëse duhet të punësoni dikë për ta bërë këtë, më njoftoni”- shkruante Morales. “E gjithë kjo duhet të konsiderohet sekret i lartë, kështu që shpërndarja do të jetë e kufizuar.”

UC Global kishte spiunuar djalin e Assange dhe Morris vazhdimisht dhe kishte parë vizitat e shpeshta të Gabrielit në ambasadë.

Ish-punonjës kishin dërguar në gjykatën spanjolle, disa orë me radhë të pamjeve të foshnjës të dërguara në kompjuterët e kompanisë.

Assange dhe Morris u përpoqën të fshehin identitetin e vërtetë të djalit duke shoqëruar mikun e tyre Stephen Hoo ta çonin për vizita dhe të pretendonin se babai ishte ai.

Por kompania UC Global bëri kontrollet e saj për Hoo dhe kuptoi se kjo ishte një hile. Një ish-anëtar i stafit ka dhënë një deklaratë duke u betuar në gjykatën e Madridit, duke thënë se Morales ishte i vendosur të dëshmonte se Assange ishte babai i Gabriel.

Dëshmitari i mbrojtur thotë se në një rast ata madje e urdhëruan të vidhte një pelenë të foshnjës për të bërë një test AND-je në feçet e tij.

Një laborator i tha Morales se ADN-ja nga pelena nuk mund të përdoret për një provë atësie, kështu që ai përgatiti një plan për të vjedhur biberonin e foshnjës, i tha gazetës El Pais një tjetër punonjës.

Por, me shqetësimet ligjore dhe morale në rritje për punën, dëshmitari vendosi të heqë dorë.

“Unë shkova te nëna e fëmijës jashtë ambasadës dhe e pyeta, ju lutem tregoni që ju nuk do ta çoni më fëmijën në ambasadë, sepse ata planifikuan të vidhnin pelenat e tij për të provuar se ai ishte djali i Julian Assange”-  thuhet në deklaratën e dëshmitarit.

UC Global dyshohet se spiunoi edhe stafin diplomatik të Ekuadorit, duke treguar që Morales po punonte për qeverinë e SHBA-së, thonë avokatët e Assange.

Kur Ekuadori donte të përfundonte kontratën me kompaninë, Morales u përpoq të përdorte “foto intime” të një diplomateje të vjedhura nga hard drive-i i saj personal. Këto foto i përdori për të shantazhuar agjencinë e huaj të inteligjencës së Ekuadorit SENAIN, që të mos tërhiqej nga kontrata.

Ekipi ligjor i Australisë thotë se provat spanjolle vërtetojnë se UC Global ndihmoi SHBA-në të regjistronin jetën intime të Assange brenda ambasadës. Kjo mbikëqyrje përfshinte regjistrime audio të diskutimeve ligjore të tij private, gjë që i jep prokurorisë një avantazh të padrejtë në gjyqin e tij p në Londërër ekstradim në SHBA.

Morales i ka mohuar të gjitha akuzat.

Assange përballet me 17 akuza për shkelje të ligjit amerikan të spiunazhit dhe për komplot për të ndërhyrë në kompjuterat e qeverisë. Ai akuzohet se ka publikuar mijëra dosje sekrete diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së, disa prej të cilave zbuluan informacione për krime lufte në Irak dhe Afganistan.

Nga këto akuza, Assange rrezikon gjithsej 175 vjet burg.

Marrë nga The West Australian


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *