Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Të hënën nis testimi i ri për grupet e rrezikuara nga COVID-19, të parët mjekët


Nga e hëna do të nisë një testim i ri për grupet e rrezikuara nga koronavirusi. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.

 “Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha Manastirliu.

Sipas ministres, në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë të disponueshme.

Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor, prandaj testimet e para do të nisin tek kjo kategori.

“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”, tha ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *