Vendosni fjalën kyçe....

Gramoz Ruçi: Rrallë ndodh që brenda 1 viti një vend të përballojë dy gjendje emergjente


Në këto momente në Kuvend po zhvillohet seanca e parë plenare pas 1 muaji mungesë si pasojë e krizës nga kroonavirusi.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mbajti një fjalë hyrëse duke thënë se Shqipëria si rrallë ndonjë vend pësoi dy goditje të mëdha në një kohë të shkurtër, dy fatkeqësi natyrore, tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë e koronavirusit.

Ai shprehu ngushëllime dhe për familjet e viktimave, ndërsa i uroi shërim të shpejtë për të prekurve, mes të cilëve edhe deputetit Adriatik Alimadhi.

“Kuvendi i Shqipërisë është në përmbushje të detyrës në këto rrethana të jashtëzakonshme në kushtet e një lufte me një armik të padukshëm për syrin njerëzor por tepër të rrezikshëm për jetën e njerëzve në gjithë globit. Pa u mbyllur gjendja e jashtëzakonshme e tërmetit të 26 nëntorit, hyjmë në një tjetër gjendje.

Rrallë ndodh që një vend brenda një vitit të përballojë dy gjendje të jashtëzakonshme. Fakti që jemi në rrugën e duhur për ti fituar këto beteja tregon se pavarësisht krizave, shqiptarët kanë ruajtur fuqinë e tyre të mbijetesës. Edhe pse situata ishte e rëndë dhe me kufizime drastike, kuvendi ka vazhduar punën në format e imponuara nga kjo pandemi.

Deputetët kanë kontribuar në plotësimin e nevojave jetësore bazike. Konferenca, byroja, komisionet kanë funksionuar me formatin elektronik. Kanë qenë në punë pa ndërprerje. I shpreh ngushëllimet familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur, dhe të prekurve që po vijoj në betejën së bashku me ta dhe kolegu Alimadhi, uroj të shërohen sa më shpejtë.

Mirënjohje për mjekët, veçanërisht infeksionistët që janë në vijën e parë të betejës dhe po shpëtojnë qindra jetë shqiptarësh. Kombin nuk do të harrojë vetëmohimin e 30 mjekëve që shkuan pranë kolegëve në Itali. Mirënjohje për policinë, po kështu edhe gazetarëve dhe kameramanët të terrenit që janë të kudondodhur në çdo beteje. Qytetarët po ashtu, të moshuarit veçanërisht meritojnë mirënjohjen tonë të veçantë. I bëjmë thirrje të vazhdojnë të rezistojnë për të dalë të fituar dhe me sa më pak humbje jetësh nga kjo pandemi.

Do të falenderoja deputetët që mirëkuptuan vendimin për përgjysmim page për 3 muaj. Dhe përfaqësuesit e 22 institucioneve të pavarura, dhe do të inkurajoja që 8 institucione që nuk janë përgjigjur akoma, t’i përgjigjeshin asaj.

Kuvendi vlerëson punën e Komitetit, të qeverisë, të kryeministrit, që morën masa radikale mbrojtëse që rezultuan tepër të suksesshme. Sa më drastike të jenë masat dhe sa më të vetëdijshëm të jenë qytetarët aq më shpejt do të fitojë jeta përballë rrezikut që na kanoset. Pandemia e koronavirusit tregoi se globalizimi është një proces kontradiktor, progresiv për nga të mirat që krijon për njerëzimin, por edhe me rreziqe shumë reale. Kjo pandemi po tregon se njerëzimi është mrekulluar nga avantazhet por njëherësh ka nënvlerësuar rreziqet. Të gjitha vendet u gjendën të papërgatitura dhe pa masat e duhura mbrojtëse për të përballuar këtë pandemi”, tha Ruçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *