Vendosni fjalën kyçe....

Fjalimi i rrallë i mbretëreshës Elisabeth II, mesazhet dhe simbolikat


Mbrëmjen e kaluar, mbretëresha Elisabeth II e Britanisë së Madhe dha një fjalim të rrallë lidhur me situatën që po kalon vendi i saj dhe bota, për shkak të pandemisë së COVID-19. E mesazhi i saj, mbartte fuqi simbolike por ishte edhe një deklaratë shumë personale e ndjenjave të saj.

Fjalimet e rralla

Kujtojmë se mbretëresha Elisabeth rrallë mund të dalë të mbajë fjalime, përveç fjalimit tradicional të Krishtlindjeve. Ndërhyrja e jashtëzakonshme e Madhërisë së saj është hera e pestë që ajo i është drejtuar kombit gjatë mbretërimit të saj 67-vjeçar dhe vjen ndërsa numri i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar nga pandemia është afër 5,000, me 621 vdekje të reja sot.

Monarkja më jetëgjatë

Asnjë monark tjetër britanik nuk ka mbretëruar aq gjatë sa Mbretëresha Elizabeth II. Ajo ka qenë një pikë fikse në historinë e monarkisë dhe vazhdon të jetë.

Në fjalimin e saj, mbretëresha na kujton se të dielën e 13 tetorit të 1940, saktësisht 80 vjet më parë, ajo pati detyrën e parë si princeshë në një transmetim ku fliste për evakuimin e fëmijëve të Blitz.

Ajo fliste nga Kështjella në Windsor për ata që ishin ndarë nga familjet e tyre dhe atëherë ajo tha, siç bëri përsëri mbrëmë se “po bëhet për sigurinë e tyre”. 

Ajo na kujton, që si atëherë, edhe tani “ne e dimë thellë, kjo është gjëja e duhur për të bërë.” Kjo ishte një kujtesë, jo vetëm për pafajësinë e fëmijërisë dhe për sakrificat e një brezi të hershëm, por për perspektivën e saj të gjatë mbi historinë e Britanisë.

Ngjyra jeshile – Mesazhe shprese

Mbretëresha gjatë gjithë fjalimit të saj dha mesazhe shpreshe, e po të njëjtin mesazh përcillte edhe veshja që kishte zgjedhur. Jeshilja është ngjyra e balancës, e natyrës, e pranverës dhe e rilindjes. Simbolizon mirëqenien, freskinë dhe progresin. Njerëzit shpesh e lidhin jeshilen me vitalitetin, rritjen dhe shëndetin. “Ditët më të mira do të vijnë”- tha mbretëresha. “Ne do të jemi përsëri me miqtë tanë, do të jemi përsëri me familjet tona, do të takohemi përsëri.”

Pamjet nga spitalet – Koronavirusi po luftohet

Por përveç veshjes në jeshile, gjatë fjalimit të saj u transmetuan dhe disa pamje që përforconin mesazhet e saj të shpresës. Jepeshin pamje të mjekëve dhe infermierëve duke punuar nëpër spitale, si për të treguar se koronavirusi po luftohet dhe kjo luftë po merret seriozisht.

Duartrokitjet e njerëzve – Besimi

Në pamjet shoqëruese, shfaqeshin gjithashtu edhe njerëzit duke duartrokitur për punën që po bëjnë punonjësit e Shëndetësisë. Një përpjekje për të treguar dhe besimin që ka populli britanik në përpjekjet që po bëhen për të luftuar këtë sëmundje. Besimin tek mjekët, tek autoritetet dhe tek Zoti.

FJALIMI I MBRETËRESHËS

Po ju flas në atë që e di se është një kohë gjithnjë e më sfiduese. Një ndërprerje në jetën e vendit tonë: një përçarje që u ka sjellë pikëllim disa, vështirësi financiare për shumë njerëz dhe ndryshime të mëdha në jetën e përditshme të të gjithëve.

Unë dua të falënderoj të gjithë që janë në vijën e parë të NHS, si punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që kryejnë role thelbësore, të cilët në mënyrë të vetmohueshme vazhdojnë detyrat e tyre të përditshme jashtë shtëpisë në mbështetje të të gjithëve.

Jam e sigurt se kombi do të bashkohet me mua për t’ju siguruar se ajo që bëni ju vlerësohet dhe çdo orë e punës suaj të vështirë na sjell më pranë kthimit në kohë më normale.

Unë dua gjithashtu të falënderoj ata prej jush që po qëndrojnë në shtëpi, duke ndihmuar kështu në mbrojtjen e më të dobëtve dhe duke i kursyer shumë familjeve dhimbjen që ndiejnë tashmë ata që kanë humbur të dashurit e tyre.

Së bashku po e trajtojmë këtë sëmundje, dhe dua t’ju siguroj se nëse mbetemi të bashkuar dhe të vendosur, atëherë do ta kapërcejmë.

Shpresoj që në vitet në vijim të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën sesi iu përgjigjën kësaj sfide. Dhe ata që vijnë pas nesh do të thonë se britanikët e kësaj gjenerate ishin po aq të fortë sa çdokush. Se atributet e vetë-disiplinës, të një vendosmërie të qetë me humor dhe të ndjenjës së vëllazërisë që e karakterizojnë akoma këtë vend. Krenaria se kush jemi ne, nuk është pjesë e së kaluarës sonë, ajo përcakton të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Momentet kur Mbretëria e Bashkuar është bashkuar për të duartrokitur punonjësit e shëndetësisë thelbësorë do të mbahen mend si një shprehje e frymës sonë kombëtare; dhe simboli i saj do të jenë ylberët e vizatuar nga fëmijët.

Në të gjithë Komonuelthin dhe në mbarë botën, ne kemi parë histori prekëse të njerëzve që mblidhen për të ndihmuar të tjerët, qoftë përmes shpërndarjes së pakove ushqimore dhe ilaçeve, kontrollimit të fqinjëve ose konvertimit të bizneseve për të ndihmuar.

Dhe, megjithëse izolimi i vetvetes mund të jetë i vështirë, shumë njerëz nga të gjitha besimet apo asnjëri besim, po zbulojnë se kjo po ofron një mundësi për të ngadalësuar, për të bërë një pauzë dhe për të reflektuar, për t’u lutur ose medituar.

Më kujton transmetimin e parë që bëra, në 1940, e ndihmuar nga motra ime. Ne, si fëmijë, biseduam nga këtu në Ëindsor me fëmijët që ishin evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe që u larguan për sigurinë e tyre. Sot, edhe një herë tjetër, shumë do të përjetojnë një ndjenjë të dhimbshme ndarjeje nga të dashurit e tyre. Por tani, si atëherë, ne e dimë, thellë brenda nesh, se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë.

Ndërsa jemi përballur  me sfida të tjera më parë, kjo është ndryshe. Këtë herë ne bashkohemi me të gjitha kombet në të gjithë globin në një përpjekje të përbashkët, duke përdorur përparimet e mëdha të shkencës dhe dhembshurinë tonë instiktive për t’u shëruar. Ne do të kemi sukses – dhe suksesi do t’i takojë secilit prej nesh.

Ne duhet të ngushëllohemi se ndërsa mund të kemi akoma më shumë për të duruar, ditët më të mira do të vijnë: do të jemi përsëri me miqtë tanë, do të jemi përsëri me familjet tona, do të takohemi përsëri.

Por tani për tani, ju dërgoj falënderimet dhe urimet e mia më të ngrohta për të gjithë ju.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *