Vendosni fjalën kyçe....

Po sikur Rama të thotë që shpiku vaksinën?!


“Kujdes po, panik jo” – ky është slogani i kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë gjatë muajit të fundit, kur po përballemi me një situatë jonormale për shkak të koronavirusit, që ka detyruar qytetarët të mbyllen në shtëpitë e tyre.

Mediat po raportojnë çdo postim që po bën kryeministri në këto kohë dhe fjalët e tij po merren të mirëqena, duke qenë se ai vazhdimisht ka bërë thirrje dhe paralajmërime kundër lajmeve të rreme, duke e bërë ERTV-në e tij – si burimin e vetëm të besueshëm. 

Ai madje bashkëpunoi dhe me kompanitë telefonike, duke i dalë qytetarëve në çdo telefonatë, për t’i paralajmëruar që të mos bien pre e lajmeve të rreme të mediave për koronavirusin.

Ose u dërgonte mesazh abontentëve.

Por sa mund ta besojnë qytetarët shqiptarë, pas lajmeve të rreme që ai qarkulloi dje?

Edhe pse është i pari që bëri thirrje për të mos përhapur panik, kryeministri i vendit është gjithashtu i pari që ka përhapur vetë panik.

Është fjala për postimin e djeshëm përmes të cilit Rama tregonte për dhunën e policisë në Spanjë ndaj qytetarëve që kishin shkelur rregullat e qeverisë për kufizimet lidhur me Covid-19. Videoja tregonte policë që dhunonin barbarisht qytetarët.

Mirëpo siç doli më pas, pamjet ishin marrë në Algjeri.

Dhe “Fake-News”-in që Rama përhapi, ishte ambasadori i Spanjës në vendin tonë që e zbuloi. Ambasadori Vicente Canelles, u detyrua t’i komentonte kryeministrit shqiptar për t’i treguar se ajo çfarë kishte bërë ishte vetëm një lajm i rremë.

Kryeministri Rama u detyrua të pranonte gabimin duke kërkuar ndjesë për gabimin, por jo për mesazhin që kishte shpërndarë me të. Ai madje e la videon përsëri të qarkullonte, vetëm bëri një editim në shkrim ku hoqi pjesën ku përmendej Spanja.

Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon!”– shkruante Rama.

Por çdo të ndodhte nëse Rama bën përsëri një “gabim të tillë njerëzor”? Se bën vaki e poston një lajm ku thuhet se ka dalë vaksina për koronavirusin, e më pas del dhe e përgënjeshtron dhe thotë përsëri se ishte “gabim njerëzor”. Ose çfarëdolloj lajmi tjetër të rremë…

Pra për kryeministrin “të gabosh është njerëzore”, por nëse e mbani mend ai nuk shprehej kështu vitin e kaluar, kur vendi u godit nga tërmetet. Pasi Syri.net dhe disa portale të tjera, gabimisht kishin përhapur një lajm sipas të cilit do binte një tërmet në një orar të caktuar, Rama ishte i gatshëm të hidhej menjëherë në sulm, edhe pse portali e pranoi gabimin.

Oficerë të anti-terrorit në Tiranë nisën një procedim penal për disa gazetarë të portalit “Syri.net” dhe “Shekulli”, për veprën penale të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”. Dy gazetarët u sulmuan përmes disa shkrimeve e disa postimeve, e madje u kërcënuan me burg.

Ai mori masa edhe ndaj portalit tjetër “JOQ” duke i bllokuar aksesin dhe u proceduan dy administratorët për përhapjen e njoftimeve të rreme të cilat hapin panik. Rama madje nisi një fushatë kundër lajmeve të rreme dhe me këtë justifikim nisi miratoi dhe një paketë ligjore, që ka hasur mjaft kritika.

Dhe ky reagim i ashpër për “Fake-News”-in nuk ishte vetëm karshi mediave, por dhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Po ashtu policia nuk u tregua e butë as me 25-vjeçaren nga Durrësi, e cila në profilin e saj në Facebook shpërndau një lajm të një mediaje italiane, ku flitej për rrezikun e shpërthimit të depozitave të gazit në Porto-Romano. Ajo tha se e kishte bërë postimin sepse mendonte se kishte lexuar një informacion serioz.

Por mesa duket për Ramën “gabime njerëzore” janë vetëm kur i bën vetë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *