Vendosni fjalën kyçe....

Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi në SHBA


Shënohet vdekja e dytë nga koronavirusi në SHBA. Zyrtarët e Shëndetësisë në shtetin e Washingtonit thanë të dielën vonë se një i moshuar kishte vdekur.

Periferia e Seattle-it është bërë epiqendër sëmundjes dhe frikës, pasi në një institucion infermierie ku kryesisht u ofrohet kujdes shëndetësor dhe kujdesi të moshuarve, janë konfirmuar gjashtë raste të koronavirusit dhe shumë më shumë banorë dhe punonjës janë ankuar se ndihen të sëmurë.

Viktima e dytë është një nga banorët e azilit dhe tre të tjerë ndodhen në gjendje kritike. Një e katërta e zjarrfikësve në Kirkland u vendosën të dielën në karantinë, sepse ata kishin qenë në institucionin e infermierisë.

Ndërkohë siç shkruan Reuters, guvernatori i New York-ut konfirmoi rastin e parë pozitiv në shtetin e tij. Florida nga ana tjetër, të dielën vonë shpalli gjendjen e emergjencës pasi konfirmoi dy rastet e para të saj.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në të gjithë Shtetet e Bashkuara ka shkuar në më shumë se 75 me dy vdekje të raportuara, të dyja në Washington.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, në të gjithë botën ka patur më shumë se 87,000 raste me koronavirus dhe gati 3,000 vdekje në 60 vende. Pjesa më e madhe në Kinë.

Italia deri më tani ka më shumë se 1 mijë e 600 raste të konfirmuara, dhe SHBA i ka ndaluar të gjitha udhëtimet për në Milano.